Kanë kaluar 15 vite nga trofeu i fundit dhe në Durrës mendojnë se ka ardhur koha që “arkivës” t’i shtohet një tjetër. Teuta do që të përsërisë historinë e 11 majit të 2005-ës, kur mposhtte Tiranën në finalen e Kupës së Shqipërisë. Kundërshtari mbetet i njëjtë dhe “djemtë e detit” janë më shumë se të karikuar për të çuar peshë zemrat e tifozëve në këtë vit jubilar. Këtë e pohon edhe Emiliano Vila, në një intervistë i cili zbulon disa sekrete para përballjes me Tiranën, përfshi edhe të ardhmen e tij.

Emiliano shënuat, por nuk e shmangët dot humbjen me Laçin… çfarë ndodhi që shkoi kështu ky takim i fundit?

Kundër Laçit zhvilluam një ndeshje të mirë në kompleks. Kontrolli i lojës ishte thuajse yni dhe skuadra ishte e mirë organizuar. E megjithatë, bëmë dy gabime në mbrojtje që sollën humbjen. Por vend për dramë nuk ka kur sheh paraqitjen, pasi në fund të fundit kishim përballë një ekip shumë të mirë. Mos eksperienca e disa lojtarëve të rinj bëri që kjo ndeshje të mbyllej kështu ndoshta.

Fakti që Europën e kishit të sigurt, mos ndoshta solli një lloj nënvlerësimi?

Duhet të kemi parasysh disa gjëra shumë të rëndësishme. Ketë javë ne kishim shumicën e lojtarëve pushim. Bëmë një përgatitje të mirë për këtë ndeshje, ndonëse duhet të tregohemi të sinqertë dhe pranojmë që punën më të madhe në seancat stërvitore e kemi pasur te Tirana. Duke marrë parasysh këtë, futbollistët dhanë më të mirën e tyre në fushë. Mos harroni që kishte nga ata lojtarë që ishin më të përqendruar se kurrë në këtë 90-minutësh, pasi donin të tregonin veten dhe vlerat që mbartin.

Tani erdhi seriozisht koha të mendoni par finalen e Kupës Shqipërisë, si është gjendja e ekipit?

Kam besim se do ta kalojmë me sukses këtë sfidë. Gjendja në kampin e Teutës është e mirë. Skuadra ka moralin e duhur, ndonëse nuk do të jetë e thjeshtë përballë skuadrës që sapo është shpallur kampione. E megjithatë, do ia dalim. E duam këtë trofe, pasi edhe klubi e ka si synim Kupën e Shqipërisë.

Tirana e mori titullin e saj për 100-vjetor, do ia bëni edhe ju një dhuratë Durrësit në këtë vit jubilar?

Siç e thashë është një ndeshje finale dhe nuk ka favoritë. Unë kam besim te kjo skuadër dhe jam i bindur që do bëj të pamundurën për ta fituar këtë trofe, pasi qyteti po e pret me shumë dëshirë në këtë vit jubilar. Kemi shansin që të marrim një kupë këtë vit dhe do bëjmë çmos që të mos na ikë kjo mundësi nga duart.

A i keni ngacmuar ndopak miqtë që keni tek Tirana para kësaj finaleje?

(Qesh) Po, te Tirana kam disa miq, por nuk i kam thumbuar. I kam ruajtur për momentin që do të ngremë trofeun. Ngacmimet në ato çaste janë më të bukura.

I shënuat në kampionat Tiranës, mendoni se do ta ndëshkoni sërish?

E dëshiroj shumë këtë gjë. Një gol në finale të jep emocione të tjera. E megjithatë, tashmë rëndësi ka vetëm që skuadra ta fitojë këtë ndeshje dhe pak vlerë ka kush e dërgon topin në rrjetë.

Cili është ai lojtar i Tiranës, të cilin do ta donit ta kishit te Teuta?

Pyetje pak e vështirë kjo, po një përgjigje do ta jap. Meqenëse te Tirana luan një nga miqtë e mi më të mirë, do të them Batha (qesh).

Ka vendosur Vila për të ardhmen, do qëndroni në Durrës pas kësaj sfide?

Ka kohë për të folur për të ardhmen. Unë jam në shtëpinë time dhe zgjedhja ime e parë do të jetë gjithnjë Teuta. Kështu që, mundësitë që unë të qëndroj në Durrës janë të mëdha.