Teuta nuk ka pasur fat në short, teksa në turin e parë të Ligës së Europës do të ketë Beitar Jerusalemin, por pavarësisht kësaj, mesfushori Emiljano Vila flet me doza optimizmi.

Ai thekson se çdo ekip që do të binte përballë durrsakëve, pritej që të ishte i fortë. Sipas tij, Teuta duhet ta përgatisë në maksimum ndeshjen kualifikuese të turit të parë në Ligën e Europës.

Vila, a jeni i kënaqur nga shorti?

E ndoqa me vëmendje shortin dhe ishim të parët që u përzgjodhëm nga goglat. Ne marrim pjesë në Ligën e Europës dhe të gjitha ekipet janë të forta. Në Europë nuk mund të themi se ka ekipe të lehta. Janë të gjitha skuadra cilësore në shtetet e tyre, ashtu si Teuta. Normalisht që do të ishte mirë të kishim pak më shumë fat, por jemi të kënaqur edhe me këtë përzgjedhje të bërë nga shorti.

Sa e njihni Beitar Jerusalem?

Është një ekip shumë i fortë, por jo me ndonjë histori të madhe në Europë. Tashmë do të jetë radha jonë që të tregojmë forcën dhe t’u themi të gjithëve se jemi një ekip i madh. Kundërshtarin nuk e njohim mjaftueshëm, mirëpo ne do të bëjmë maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv, pra kualifikimin. Shanset janë dhe ne do mundohemi që t’i thyejmë izraelitët. Fakti që do të luajmë me një ndeshje dhe në fushën tonë, është një plus më shumë në favorin tonë.

Nisur nga kjo, fakti që luani në Durrës, si i ndani shanset për kualifikim?

Durrësi është streha jonë dhe pa dyshim që është plus shumë i madh për ne. Megjithatë, besoj dhe dua që të fitojmë edhe për tifozët të cilët nuk do të kenë mundësinë që të jenë në stadium atë ditë. Gjithçka është e hapur, por unë mendoj se edhe pa i ndarë me përqindje, ne kemi shanset tona për kualifikim.

Si është gjendja e skuadrës në këto ditë të para të përgatitjeve?

Gjendja e skuadrës në këto ditë të para është e mirë. Po stërvitemi të gjithë me shpresën dhe besimin për të arritur maksimumin më 27 gusht.

Çfarë duhet të bëjë Teuta që të arrijë objektivin në këtë përballje?

Ndeshjet me eliminim direkt kanë specifikë tjetër. Ne do të përpiqemi me të gjitha forcat tona për t’ia arritur qëllimit dhe kemi besim se mund t’ia dalim mbanë. Do të synojmë që fillimisht të mos pësojmë gol, ndërkohë që duhet të veprojmë më mirë në fazën sulmuese. Një gol na dëmton shumë, prandaj duhet ta evitojmë me çdo kusht. Në këtë përballje duhet t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë fazës sulmuese, sepse na duhet të shënojmë patjetër që të shpresojmë. Duhet të kemi shumë përkujdesje për të dyja fazat e lojës.

Në cilin aspekt i druheni më shumë kundërshtarit?

Unë nuk i druhem asnjë kundërshtari, qoftë Beitari apo ndonjë tjetër ekip në Europë. Jo se nuk i kam frikë, por merremi më shumë me skuadrën dhe lojtarët tanë që të gjithë të shfaqim sa më mirë aftësitë tona. Ne nuk kemi asnjë peng për nga mënyra si është ndërtuar futbolli i një shteti tjetër. Mua më intereson skuadra ime.