Teuta regjistroi një tjetër barazim ditën e sotme, teksa me Bylisin nuk shkoi më shumë se ndeshja pa gola.

Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Teutës, Edi Martini është shprehur, se ndeshjen edhe mund ta kishin fituar por edhe mund ta kishin humbur, ashtu si rrodhën gjërat.

“Ndeshjen e dhe mund ta kishim fituar por edhe mund ta kishim humbur, ashtu si erdhi loja. Bëmë një pjesë të parë të mirë, në pjesën e dytë, na u prish gjithçka me kartonin e kuq.

Pavarësisht kësaj, ne prap krijuam dhe kishim raste. E vërtetë që krijojmë shumë, por duhet të punojmë më shumë për të arritur te goli.Ne kishim ardhur këtu me synimin për të fituar ndeshjen. Bylisi na rrezikoi disa herë në pjesën e parë dhe e dinim këtë. Nuk ia dolëm të shënonim, por lamë edhe hapësira prapa. Jorgji na dha një karton të kuq, por pak më parë ishte një karton i dytë i verdhë i munguar për Bylisin, atij bravo i qoftë për këtë që bëri.

Diskutimi me arbitrat?

Jorgjit i thashë pse nuk ia dha Muratajt të kuqin. U bë e dyta herë, pasi edhe me Skënderbeun na u mohua një penallti, ku mund të shkonim 2-0. Arbitrat duhet të jenë më të kujdesshëm, pasi pikët ikin. E di që nuk ka qenë e qëllimshme, por ne na penalizojnë, pasi jemi ekip pretendent dhe do luftojmë deri në fund për titullin.Presioni tani është më i madh. Edhe unë si trajner, por edhe lojtarët kur diskutojmë shikoj se pritshmëritë janë të mëdha.Të gjitha ndeshjet janë të forta. Të gjitha mbrohen mirë dhe dalin në kundërsulm. Me çdo kundërshtar ne luajmë për fitore. Lorenco Vila do jetë nesër në stërvitje.”, u shpreh Martini.