Aston Vila dhe Liverpul ishin përballë njëra-tjetrës mbrëmjen e djeshme për llogari të Kupës, mirëpo vendasit kishin hedhur në fushë ekipin e të rinjve duke qenë se 10 prej futbollistëve të ekipit të parë rezultuan me COVID-19.

Kështu, të kuqtë fituan me lehtësi me shifrat 1-4, teksa golin e vetëm për Aston Vilën e shënoi 17-vjeçari, Lui Berri.  Në përfundim të ndeshjes, djaloshi nxitoi të ndërronte fanellën me lojtarin e Liverpul, Fabinjo.

Mirëpo, pak çaste më pas, një prej pjesëtarëve teknikë të Aston Vilës, i kujtoi Berrit se nuk ishte ide e mirë të ndërronte fanellën e ndeshjes së parë me skuadrën e parë.

Në këtë formë, Berri vrapoi pas Fabinjos, me futbollistin e Liverpul që u tregua shumë i kuptueshëm dhe ia ktheu fanellën, por nuk e mori mbrapsht të tijën. Kështu, Berri mbajti fanellën e debutimit me Aston Vilën dhe atë të Fabinjos.