Ditën kur futbolli italian i femrave përjetoi momentin e popullaritetit të madh, me stadiumin “Allianz” të mbushur plot me tifozë për të parë ndeshjen mes Juventusit dhe Fiorentinës, një incident në provincën e Salerno-s e ka kthyer këtë sport dhjetë vite mbrapa, në imazh. 

Sergio Vessicchio, telekronist (komentator) i transmetuesit lokal “CanaleCinqueTv”, e nisi komentin e tij me fyerje kundër gjyqtares së ndeshjes së femrave, Agropoli-Sant'Agnello, e quajtur Annalisa Moccia: "Eshtë një gjë e pakuptueshme dhe e neveritshme të shohësh femrat që bëjnë drejtësi si gjyqtare në një kampionat, ku ekipet shpenzojnë mijëra euro. Një shaka e federatës".

Presidenti i televizionit, që është edhe drejtues i shoqatës së gazetarëve të Napolit, Ottavio Lucarelli, në fakt, njoftoi pezullimin nga puna të Vessicchio, i cili edhe në një cikël emisioni të natës, ndër të tjera, kishte përsëritur bindjet e tij: 

"Unë personalisht e ndiej se angazhimi i femrave në arbitrimin e futbollit është e gabuar, për shumë arsye. Nuk fshihem, i konfirmoj mendimet e mia. Përse të gjithë këta moralistë nuk bëjnë betejë për t'i bërë ato të luajnë së bashku me meshkujt?”