Deputeti socialist Bashkim Fino ka kontestuar humbjen në balotazh përballë Armand Dukës në garën për President të FSHF-së.

Duka fitoi mandatin e 5-të 4-vjeçar me 38 vota pro, kundrejt 24 që mori Fino.

Në një prononcim për mediat pas shpalljes së fituesit, Fino tha se Duka u zgjodh president me listën e kontestuar të delegatëve.

“Po të shikoni diferencën prej 14 votash, janë ata që ne kemi thënë gjatë gjithë këtij muaji. 12 shoqata janë të ilegale në këtë votim dhe për këtë ne do të vazhdojmë procesin tonë ligjor dhe gjyqësor. Vendosja e disa ekipeve që nuk kanë ekipe, si Pojani, Vlora, Fieri etj, tregon për diferencën që Zoti Duka fitoi në këto zgjedhje.”

Ndërsa Duka, në një prononcim për mediat pas deklaratave të Finos tha se ishte i lumtur “për mënyrën se si u organizua kjo asamble…Të gjithë pamë dhe demonstruam një nivel shumë të lartë të organizimit të një asambleje. Kjo nuk i heq të drejtën askujt që të japë mendimin e vet apo të ndjekë dëshirat e veta.”

I pyetur nëse ka dyshime se mund të ndryshojë rezultati, Duka tha: “Unë nuk jam trup gjykues, jam president i sapozgjedhur dhe mendoj se çfarë duhet të bej, jo vetëm për të realizuar ato që kam premtuar, të korrigjoj ato për të cilat jam kritikuar, por edhe të rifitoj dhe të ribashkoj ato 24 vota kundër që familja jonë të jetë unike për përmirësimin e futbollit shqiptar.”