Teuta këtë edicion është mësuar të përjetojë emocione të shumta. "Djemtë e Detit" kanë fluturuar në zonën europiane. Edhe pse në një moment të sezonit u mendua titulli kampion, skuadra durrsake vijon të mbetet brenda objektivit që është rikthimi në kompeticionet e UEFA-s.

Java 35- të i vendos përballë Kastriotit, një kundërshtar aspak komod që mbi të gjitha synon pikët e mbijetesës.Nga një skuadër që po mendonte të sulmonte vendin e parë në renditje, tashmë Teuta duhet sa më parë të sigurojë Europën dhe ta mbyllë këtë sezon me suksesin e munguar prej dy sezonesh për të përmbushur misionin e fillimit të edicionit.

Teuta ka kaluar një periudhë shumë të keqe në kampionat, por dy sfidat ndaj Skënderbeut dhe Partizanit, të fituara, erdhën në momentin e duhur. Europa po thërret dhe në Durrës e dinë mirë se duhet të përgjigjen në një sfidë me rivalin për zonën e mbijetesës, njëkohësisht kundërshtari që për durrsakët ka rezultuar i kalueshëm.

Teuta ka marrë 9 pikë të plota në tri fazat e para ndaj Kastriotit. Megjithatë, duke parë dy fitoret në dy ndeshjet e fundit, skuadra e Bledi Shkëmbit ka luksin që ndaj Krutanëve të kënaqet edhe me një pikë. Kjo sfidë, për të dyja ekipet, është shumë vendimtare dhe ndaj një kundërshtari me të cilin në tri faza ia kanë dalë të grumbullojnë pikët maksimale.

Skuadra e Teutës ka vijuar ditën e djeshme përgatitjet për duelin e së dielës, ku "Djemtë e Detit" do të përballen me Kastriotin. Stërvitja e u zhvillua në kompleksin "Olympic Park" dhe zgjati rreth dy orë, ku numri një i pankinës së Teutës po punon deri në detajet e fundit, para duelit të vlefshëm për javën e 35-të.

Për Teutën, në ndeshjen kundër Kastriotit do të kthehen kapiteni Tefik Osmani dhe Traore, të cilët janë rikthyer në stërvitje të plotë me skuadrën. Sidibe është e vetmja mungesë për takimin e së dielës.

Mesfushori shtatlartë, i cili është i pezulluar, ndërsa mbrojtësi Ditmar Bici është ende nën kujdesin e stafit mjekësor dhe aktivizimi i tij këtë fundjavë është ende në mëdyshje. Pjesa tjetër e grupit është në gjendje optimale në prag të takimit të fundjavës.