Futbollisti i Kombëtares, Kastriot Dermaku i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve ditën e sotme në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka qenë i shoqëruar edhe nga Migjen Basha.

Mbrojtje me 3 apo me 4, si do të ishte më mirë?

“Edhe me Kozencën kemi luajtur në të 2 mënyrat. Do ta shikojmë çfarë mendon trajneri kur të jetë grupi i plotë.”

E ka forcën skuadra për tu ringritur?

“Besoj që patjetër, duhet të japim maksimumin. Do të shikojmë deri ku mund të shkojmë. Të gjitha ndeshjet janë të vështira”

Konkurenca?

“Është e madhe konkurrenca dhe është pozitive kjo. Nuk pres të jem në formacion, nëse vjen shansi do të demonstroj aftësitë e mia”

Me kë mendon se mund të japësh maksimumin?

“Nuk di si ti përgjigjem kësaj pyetjeje. Me rëndësi është të luaj, të kem minuta. Nuk jemi grumbulluar ende të gjithë.”

Ndryshimi me emërimin e trajnerit të ri? 

“Deri tani është pozitive përshtypja”

Do të jeni në Seria A?

“Kemi biseduar me disa ekipe në Seria A. Ka shanse të shkoj në Seria A”

Kë keni idhull?

“Më pëlqen si karakteristika Pike i Barcelonës. Ka shumë të rinj edhe në Itali, si përshembull Romanjoli, apo edhe Kielini”

Ndërsa mesfushori i Kombëtares, Migjen Basha, para gazetarëve foli për përgatitjet në prag të sfidave ndaj Islandës dhe Moldavisë, të vlefshme për eliminatoret e Europianit. Në prononcimin e tij, Basha sqaroi edhe të vërtetën në lidhje me zërat që e lidhin atë me kampionët e Partizanit.

“Dua të them që ai lajm që doli është rastësi. Bëmë vetëm një foto me çunat e Partizanit. Nuk është asgjë e vërtetë. Kam 1 vit kontratë me Arisin. Klubi nuk më ka thënë që do largohem. Çdo lojtar ka qejf të luajë në Champions, por nuk mundem që unë të jem pjesë e Partizanit kur kam kontratë me Arisin. Nuk mundem të them diçka më shumë.

Nuk mund të them që kam dëshirë, kur kam edhe 1 vit me Arisin, se krijoj probleme. Nuk besoj se do vazhdojë bisedimet. Ka qenë vetëm një rastësi, që bëmë foto me çunat e Partizanit.

Ndryshimet me trajnerin e ri… 

Nuk jemi të gjithë të grumbulluar. Ka qenë ndryshe me Panuçin. Tani ndihemi më të lirë. Nuk është se po bëj fajtor Panuçin. Është një trajner i ri, me tjetër mentalitet dhe të jep liri. Varet nga rezultatet, me fitore rritet harmonia. Ndryshe bëhet problem.

Harmonie në skuadër…

Është ndryshe. Panuçi vendosi rregulla të rrepta. U munduam t’i respektonim. Nuk e di a ishin pozitive apo negative. Për Rejën për  momentin është ndryshe. Nuk ja vë gjithë fajin Panuçin. Rregullat duhen respektuar.

Përshtatja…

Është e vështirë të them diçka. Nuk jemi përgatitur shumë. Nga ana taktike nuk kemi punuar shumë, po presim të vijnë lojtarët e tjerë, për të vendosur.

Karikimi për të dhënë më të mirën…

Ne jemi profesionista. Nuk duhet ti marrim ndeshjet lehtë. Jemi duke mbështetur vendin tonë. Mos harrojmë që jemi në Kombëtare, nuk jemi nëpër klube. Pavarësisht miqësore apo kualifikuese, duhet të japim maksimumin. Vitin e kaluar nuk kishim shumë lojtarë. Panuçi bëri disa teste dhe nuk shkuan gjërat mirë. Në kualifikuese ne do japim maksimumin.

Ku ndryshon Reja nga Panuçi…

Sigurisht është më ekspert. Nuk e dimë ende për anën taktike. Ka më shumë eksperiencë, shikohet që raporti me lojtarët është më ndryshe. Pastaj për pjesët e tjera të shohim në javët e ardhshëm. Duhet patjetër rezultatet pozitive në 2 ndeshjet e radhës. Duhet të ngrehmë moralin dhe entuziazmin. Kombëtares i ka humbur pak entuziazmi. Duhet ta rikthejmë entuziazmin. Stadiumi i ri do të na ndihmojë shumë.