Ëndrra e çdo fëmije që dëshiron të bëhet futbollist, është të vijë momenti të luajë, shënojë dhe fitojë trofe me skuadrën e zemrës. Një gjë e tillë po i ndodh Lorenco Vilës, yllit të Teutës dhe një prej futbollistëve më të mirë të Kategorisë Superiore. Sulmuesi i majtë festoi 22-vjetorin e lindjes muajin e kaluar dhe po luan sezonin e pestë me ekipin durrsak. Familja i injektoi dashurinë për Teutën, teksa Vila ka qenë pjesë e moshave të bregdetarëve, përpara se të kalonte në ekipin e parë në sezonin 2016/2017.

Tetë vite më parë kapte topat në ndeshjet shtëpiake të Teutës, siç dallohet në foton e mëposhtme. Sezonin e kaluar i bëri të gjithë për vetë dhe fitoi Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë me skuadrën e Edi Martinit. Edhe këtë sezon e ka nisur “zjarr”, teksa është golashënuesi më i mirë i Teutës me 5 gola të realizuar në kampionat. Në qytetin bregdetar ëndërrojnë titullin kampion, që u fitua për herë të parë dhe të fundit në sezonin 1993/1994.

Një ëndërr edhe e Vilës, i cili shihet nga tifozët si lojtari i duhur për të udhëhequr skuadrën drejt trofeut të madh. Për momentin kryeson Vllaznia, por kampionati është i gjatë dhe tek Teuta nuk kanë aspak ndërmend të dorëzohen.