Një penallti e akorduar nuk mund ta justifikojë kurrsesi dhunën e ushtruar ndaj arbitrit Albi Paço nga futbollistët dhe stafi i Këlcyrës. Federata Shqiptare e Futbollit reagoi pas ngjarjes së ndodhur këtë të diel në Përmet, duke dënuar aktet e dhunës në fushën e lojës.

Sipas institucionit që drejton futbollin në vend, "ajo që ndodhi është e dënueshme dhe e papranueshme". FSHF njoftoi se po e ndjek me shumë intensitet këtë ngjarje dhe inspektorët e zyrtarët e saj po mbledhin të gjitha provat dhe informacionet e nevojshme për të zbardhur gjithçka ndodhi në ndeshje.

Rasti i dhunës ekstreme do të merret në analizë nga Komisionet përkatëse dhe sipas Federatës, të tilla episode që nuk i përkasin frymës Fair në futboll, do të marrin përgjigjen e duhur sipas të gjitha dispozitave që parashikon Kodi i Drejtësisë Sportive.

Një qëndrim i cili paralajmëron furtunë për klubin dhe lojtarët e Këlcyrës, ku në mbledhjen e radhës së Komisionit të Disiplinës priten përjashtime përjetë nga futbolli për përgjegjësit e dhunës.

Pas ngjarjes, e cila bëri që gjyqtari Albi Paço të përfundonte në spital, policia njoftoi se ka ndaluar tre futbollistë të ekipit të Këlcyrës për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet.