Ditë reflektimesh këto të Juventusit, sidomos pas humbjes së rëndë ndaj Realit të Madridit në ndeshjen e parë të vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Duke përjashtuar një përmbysje të madhe në Spanjë, edhe këtë vit Alegri nuk do të arrijë të ngrejë trofeun e shumë kërkuar ndërkombëtar.

Pikërisht, ky dështim në Champions, duket se ka shtyrë drejtuesit bardhezi të mendojnë se ka ardhur momenti për një ndryshim rrënjësor. Me një këmbë jashtë klubit tashmë janë disa lojtarë. Nëse disave ju përfundon kontrata, të tjerë nuk shihen si pjesë e projektit të ri dhe mund të largohen.

Përveç tyre, nuk përjashtohet edhe mundësia që valixhet t’i bëjë edhe Masimiliano Alegri. Me kampionatin (do të ishte i shtati radhazi) në dorën e tyre dhe një finale kupe për të luajtur, drejtuesit bardhezi nuk dëshirojnë të tronditin ambientin me lajmin e largimit të trajnerit.

Strategu bardhezi është në vitin e tij të katërt në stolin e Juves dhe mungesa e një suksesi ndërkombëtar mund t’i detyrojë drejtuesit të mendojnë për një pasues, teksa tekniku mund të mendojë edhe për kombëtaren italiane.

Në pritje të përfundimit të sezonit, te Juventusi po punohet për të evituar çdo të papritur. Sipas mediave italiane, bardhezinjtë po monitorojnë situatën e Karlo Ançelotit, i mbetur pa skuadër pas shkarkimit nga Bajerni i Mynihut.

Ish-trajneri i Milanit, por edhe i vetë "Zonjës", do të ishte objektivi i parë për drejtuesit për të pasuar Alegrin.Vetë Karleto i ka dhënë prioritet kampionatit anglez dhe kombëtares italiane, por në mungesë të këtyre alternativave nuk do të ngurronte të rikthehej në Itali pas tetë vitesh emigrim, sidomos në Torino ku drejtoi nga 1999-2001, duke pasur në stolin bardhezi një emër të madh si Marçelo Lipi.