Një numër i atletëve të Universitetit Shtetëror të Kolorados, në ekipin e futbollit amerikan, kanë thënë se janë udhëzuar të heshtin nëse kanë simptoma të Covid-19, pasi përndryshe do të përballen me pasoja.

Këto pretendime janë pjesë e një hetimi të bërë nga gazeta The Coloradon, ku dhjetë lojtarë anonimë dhe anëtarë të stafit pretendojnë se Universiteti është duke tentuar ta shpëtojë sezonin duke mos i raportuar rastet e infektimit.

Një lojtar anonim ka thënë se ata janë udhëzuar të mos i raportojnë simptomat e tyre edhe nëse janë infektuar me Covid-19, përndryshe do ta humbin vendin në skuadër.

“Mendoj se të gjithë mund të bëjmë punë më të mirë. Por, është shumë e gabuar të na thonë trajnerët të mos tregojmë nëse kemi simptoma pasi po na mungojnë shumë lojtarë”, tha futbollisti.

The Coloradon raportohet se ekipi i futbollit është goditur rëndë nga virusi, pasi 27 lojtarë kanë munguar në stërvitjet nga 29 korriku shkaku i koronavirusit, duke bërë që shkolla të detyrohet t’i ndërpresë aktivitetet ekipore.

Një tjetër lojtar tha se një bashkëlojtar i tij ushtroi pa maskë, përkundër që kishte simptoma, dhe nuk dëshironte të testohej pasi që frikësohej se do ta humbe vendin në skuadër.

Drejtori i Departamentit të Atletikës në Universitet, Joe Parker, mohoi të jenë udhëzuar lojtarët të mos tregojnë nëse kanë simptoma dhe tha se shkolla po bën çfarë po mundet për t’i mbajtur të sigurt lojtarët.