Peru-Kolumbi 1-1, minutat e fundit të ndeshjes. Ndërkohë, vjen lajmi se Brazili ka shkatërruar Kilin 3-0. Me atë rezultat, Kolumbia shkonte në Botëror dhe Peruja në play-off me Zelandën e Re, një dhuratë, duke parë vuajtjet për kualifikim. Fitorja vlente Rusinë për Perunë, por a ia blente barra qiranë që të rrezikohej?

Falkao këtë gjë ia bëri të qartë peruanit Renato Tapia, duke iu afruar e duke i folur me gjeste e duke mbuluar gojën, ndërsa Tapia pohonte me kokë. Pamjet bënë xhiron e botës dhe në Kili akuzojnë për trukim, por tani edhe vetë Renato Tapia rrëfen gjithçka.

Ishim duke luftuar me të gjitha forcat, e dinim që fitorja na çonte në Kupën e Botës. Megjithatë, pak minuta para fundit Falkao m’u afrua dhe më tha që Kili humbi. Barazimi na vlente të gjithëve, ndaj në fund ndeshja u administrua si duhej, nuk mund të rrezikonim kot humbjen”, thotë mesfushori i Fejenordit.

Fjalë të rënda, që konfirmojnë marrëveshje që në futboll ndodhin shpesh, por zor se FIFA do të marrë ndonjë masë.