Rino Gattuso ka folur për mediet në prag të ndeshjes kyçe të së dielës ndaj Torinos. Për kuqezinjtë vlejnë vetëm tre pikët ndaj skuadrës së Mazzarri-t, përndryshe rrezikojnë të mbeten jashtë Champions League.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për lojtarët, për mua, për këtë fanellë, për të gjithë AC Milan. Nuk po kalojmë një moment të mirë, po vuajmë dhe kritikat janë të drejta. Çfarë është problemi? Më parë kur kemi pasur probleme kishim shpirt, tani e kemi humbur edhe atë. E dinim si të vuanim kur gjërat nuk shkonin mirë. Tani e kemi humbur gjithë këtë. Mund të luash keq, por kur ndodh diçka e keqe duhet të reagojmë.

Një trajner nuk mund t’i godasë lojtarët, ai nuk ka të drejtë ta bëjë këtë gjë. Ata duhet ta kuptojmë se mund të bëjmë më shumë. Ndaj Torinos do të jetë një ndeshje e vështirë. Suso? Nuk ishte vetëm ai që u fërshëllye, të gjithë jemi kritikuar me të drejtë. E ardhmja? Të shohim se çfarë do të ndodhë, tani e kemi fokusin te ndeshjet e fundit të sezonit, do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas.”