Tjetër lajm i keq për Milanin dhe për trajnerin Gattuso. Jack Bonaventura duhet të operohet për të zgjidhur problemin që ka në gjurin e majtë. Terapia intensive e stafit mjekësor pas derbit me Interin nuk ka patur efektin e pritshëm, pasi futbollisti ende ndien dhimbje.

E vetmja zgjidhje ka mbetur ndërhyrja kirurgjikale, një vendim i marrë në konsensus të plotë mes shoqërisë dhe futbollistit. Operacioni, fatkeqësisht, zgjat më shumë periudhën e riaftësimit: mesfushori do të qëndrojë jashtë fushave të blerta nga 4 deri 5 muaj.

Ndërhyrja kirurgjikale është programuar në ditët në vijim e kjo do të thotë se Bonaventura do të mund të kthehet nën urdhrat e Gattusos në periudhën mars-prill.

Praktikisht, lojtari e humbet sezonin, pasi në rast se gjërat shkojnë në perfeksion, Gattuso mund ta ketë forcë të shtuar të skuadrës së tij vetëm për pak ndeshje në fund të kampionatit. Drejtuesit kuqezi duhet të ndërhyjnë në merkaton e janarit për të siguruar një lojtar që luan në të njëjtin rol.