Esin Hakaj ishte një nga lojtarët më të mirë të ndeshjes Teuta-Vllaznia, jo vetëm për golin që shënoi, por edhe për shpirtin e garës që tregoi gjatë gjithë 90-minutëshit. Ky ishte një takim i veçantë për mbrojtësin shkodran, pasi i duhej të përballej në një moment shumë deçiziv, kundër skuadrës së zemrës.

Goli i parë në Superiore dhe për më tepër, kundër skuadrës së zemrës, Vllaznisë…

Hakaj: Jam shumë i emocionuar. Kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe deçizive, si për ne edhe për Vllazninë, por ne fituam dhe e merituam.

Ndjeheni optimist për të synuar mbijetesën?

Hakaj: Ne kemi një skuadër të mirë, që po luan shumë mirë dhe po merr pikë, ndaj jam optimist se do t’ia dalim të mbijetojmë në Superiore.

Sa i motivuar jeni kur luani përballë Vllaznisë?

Hakaj: Ishte jo vetëm një motivim më shumë, por edhe një emocion i madh, sidomos në minutat e para. Kjo edhe për shkak të rëndësisë së ndeshjes, pasi ishte deçizive.

Nga Partizani te Teuta, u duk si hap mbrapa. Kur do të vijë momenti për t’u ngjitur?

Hakaj: Te Partizani më ndodhi një dëmtim dhe nuk arrita të rikuperohem dhe të marr vendin e titullarit. Edhe mundësia nuk mu dha që të tregoj veten, por tani jam i lumtur që këtë mundësi e gjeta te Teuta, ku po mundohem të jap më të mirën.

Kujt ia dedikuat golin?

Hakaj: Babait dhe vëllait tim, që ishin në stadium dhe po më ndiqnin.