Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, ka një jetë në futboll dhe nuk mund të kënaqet thjesht me faktin se skuadra e tij u rikthye të marrë pjesë në Kupat e Europës. Në këtë periudhë të nxehtë, jo vetëm sa u përket temperaturave, por mbi të gjitha merkatos, kreu i klubit durrsak gjen kohën për të rrëfyer disa të pathëna për sezonin e fundit, afrimet, largimet, zhgënjimet që ka përjetuar, por jo vetëm.

“Nëse Osmani do që të shkojë tek Tirana, le të shkojë, nuk na prish aspak punë. Kale? Veproi si një maskara, luajti me dy porta”, ka thënë ndër të tjera presidenti durrsak. 

Teuta u rikthye në Europë pas tri vitesh. I kënaqur apo prisnit më tepër se kaq? 
Vërtet kapëm zonën europiane, por të jem i sinqertë, nuk dola i kënaqur nga skuadra. Sidomos në pjesën e dytë të sezonit kam mbetur i zhgënjyer për mënyrën se si shkuan gjërat. 

Në çfarë aspekti jeni i zhgënjyer? 
Jam shumë i pakënaqur nga lojtarët që morëm në janar. Në përgjithësi merkatoja e dimrit kështu del, por menduam se bëmë diçka të mirë duke afruar emra si Frashëri, Bushiç dhe Vajushi. Ky i fundit nuk ishte ai që ne prisnim, për më tepër erdhi i dëmtuar në gju. Bushiç gjithashtu ishte larg pritshmërive, ndërsa Frashëri dështoi totalisht. Nga afrimet, deri diku Arapi e justifikoi pak veten. 

U duk sikur kishit një farë dyshimi për të ardhmen e trajnerit Bledi Shkëmbi, por më pas e rikonfirmuat…? 
Shikoni, së pari Bledi është miku im dhe një trajner i ri, pasi nuk ka shumë që e ka lënë futbollin. Ne po i japim një dorë, po e mbështesim dhe kemi besim tek ai. Është një trajner i përkushtuar, por si çdo i ri në këtë profesion, ka edhe gabime. Megjithatë, ai ka besimin tim dhe do të vazhdojë të jetë trajner i Teutës. 

Tefik Osmani është më në planet tuaja? 
Faktikisht Osmani është pjesë e ekipit dhe do të luajë me Teutën në Europë. Të shohim çfarë do të ndodhë më pas. Nëse ai do që të shkojë tek Tirana, le të shkojë, nuk na prish aspak punë. 

Po përfliten shumë emra si përforcime të Teutës, a mund të na zbuloni diçka konkrete? 
Kemi biseduar me shumë lojtarë, por nuk kemi rënë dakord, pasi kanë përdorur këtë periudhë për t’ia ngritur çmimin vetes. Nuk ta merr mendja se çfarë veprimesh kanë bërë, por ne jemi një klub serioz dhe nuk mund të merremi me maskarenj. Një prej rasteve më flagrante është ai i Kalesë. 

Si është rasti i brazilianit, pasi ai dje firmosi tek Tirana? 
Ka ardhur në Durrës dhe ka takuar ortakun tim, Bardhi, para disa ditësh. Kanë biseduar dhe i ka ofruar kontratën, duke rënë dakord për gjithçka dhe për dy-tri ditë do të firmoste. Mirëpo, këtë hapësirë e ka përdorur për të bërë pazare dhe pas ndërhyrjeve të klubeve të tjera, i ka dërguar një mesazh shefit të klubit tonë, që nuk vjen dot tek Teuta pasi Tirana i ofron më tepër para. Më vjen keq që po e them, por disa lojtarë janë bërë mostra. Si puna e Kalesë na ka ndodhur edhe me të tjerë, që vijnë në Durrës, biem dakord dhe pastaj luajnë me dy porta.