Edmond Hasanbelliu mendon se Teuta është si çiklistët dhe jo një nëndetëse siç e quajti Safet Gjici. Presidenti i Teutës Hasanbelliu ka komentuar fitoren e fundit, arbitrimin, garën për titull, por jo vetëm. “Gjici kërkon të fitojë, por na ka frikë. Më mirë që ndodh kështu”, ka thënë ndër të tjera kreu i klubit durrsak.

Teuta u rikthye te fitorja në një ndeshje dramatike me Kukësin, duke u bërë tashmë forca e dytë e kampionatit. Si e keni përjetuar atë takim?

Ndeshja e fundit me Kukësin ishte vërtet emocionuese, pasi na mbajti në ankth deri në fund. Mendova se përfundoi në barazim, por penalltia e pritur nga Hidi e bëri edhe më të bukur ndeshjen. Ishte një fitore, që erdhi përmes një loje të mirë. Mendoj se gjithçka u bë perfekte nga ana jonë, edhe pse unë pres ende diçka më tepër nga skuadra.

Çfarë prisni më tepër?

Pres që të mbajmë këtë rritëm, të luajmë si në pjesën e dytë ndaj Kukësit. Nëse vazhdojmë me këtë lojë, jemi OK dhe do t’i arrijmë objektivat. Kemi pasur oshilacione si ekip, këtu i referohem edhe rezultatit të dy javëve më parë, ku barazuam në Durrës me Kamzën. Sigurisht, me atë që kemi bërë deri më tani jam i kënaqur me ekipin, por pres më tepër, sepse jam i bindur që i kemi mundësitë. Shpresoj të kemi të gatshëm sa më shpejt Vajushin, i cili u dëmtua në gju dhe është në fazën e riaftësimit. As këtë javë me Luftëtarin nuk do të jetë në dispozicion.

Çfarë menduat në momentin kur nuk u akordua penalltia në pjesën e parë ndaj Kukësit?

Nuk e di, vërtet habi, sepse ai arbitër është nga më të mirët që kemi. Ishte edhe shumë afër aksionit, por ndoshta ashtu iu duk për momentin. Unë mendoj se Xhaja futet tek arbitrat më të ndershëm në kampionatin tonë. Nuk mund ta akuzoj, sepse janë gjëra që ndodhin. Personalisht nuk e besoj të ketë pasur tendencë kundër Teutës, pasi e përsëris është nga më të mirët që kemi.

Opinioni sërish ju nënvlerëson, pasi më shumë po flitet për një garë mes Partizanit dhe Kukësit për titullin. Si e shikoni këtë pjesë?

Kush merr vesh nga futbolli e kupton qartë që kjo është një garë mes ekipeve që kanë shumë pak diferenca. Vërtet Partizani është më i shkëputur, sepse ka pasur më tepër stabilitet se ne dhe Kukësi, por jo se ka ndonjë diferencë të madhe si ekip në krahasim me Teutën. Të tria skuadrat e kreut aty-aty janë si nivel. Në fillim ishte mirë edhe Skënderbeu, por pastaj shkoi poshtë. Do t’ia dali ai ekip që do të jetë më i përkushtuar dhe që do të bëjë më pak gabime rrugës.

Gjici e krahasoi Teutën si një nëndetëse, në një kohë që kjo nofkë ka qenë historikisht për Dinamon. Keni një përgjigje?

Safeti do që të fitojë gjithçka, por jemi më lart se Kukësi në tabelë. Përderisa beson ai se mund të fitojë titullin, pse të mos besojmë edhe ne që jemi në vend të dytë. Me sa duket, na ka frikë tani Safeti, si Teutën dhe Partizanin. Më mirë që ndodh kështu. Pastaj, edhe ne njerëz jemi, pse mos të fitojmë. Po na doli kampionati, pse mos ta marrim?!. I them Gjicit që Teuta është si çiklistët, i lë një herë rivalët të ecin përpara dhe pastaj në fund ua merr fronin.

Besoni se mund ta përmbysni Partizanin?

Në lojë janë edhe shumë pikë, nuk mendoj se është ndonjë çudi e madhe nëse e përmbysim. Kemi për të luajtur edhe dy herë me Partizanin, pastaj unë mendoj se të gjitha ndeshjet do të jenë të forta deri në fund, jo vetëm mes rivalëve për kreun, por edhe atyre që luftojnë për mbijetesë apo të kapin zonën europiane. Shembulli konkret është Luftëtari, një alamet skuadre që për mua e fitoi ndeshjes kundër Tiranës, paçka se në fund u barazua me fat. Kampionati nuk do të jetë i vështirë vetëm për ne, por edhe për Partizanin e Kukësin. Do shumë fat natyrisht, por ne do t’i bëjmë hyzmetin deri në fund.

Të shtunën luani në transfertë me Luftëtarin, aty ku në fazën e parë pësuat një humbje 3-1…?

Normalisht do të shkojmë për fitore, pastaj se çfarë rezultati do të marrim, e vendos fusha. Për mua nëse arrijmë të mundim Luftëtarin këtë javë, e cilësoj si një hap të madh. Luajmë ndaj një skuadre të mirë, që për më tepër luan bukur futboll.

Ka diçka që i druheni në këtë pjesë delikate të sezonit?

Duhet të jemi koshientë që në çdo fundkampionati ka probleme, pasi krijohen edhe aleanca. Shpresoj që të mos ndodhin ose së paku të minimizohen dhe të mos prishin garën. Në këtë moment unë nuk mund të akuzoj askënd, sepse nuk është mirë të ndodhin këto gjëra, si nga ana jonë, e Partizanit apo çdo ekipi tjetër. Faktikisht, gara është e bukur deri më tani, pasi të gjitha skuadrat janë në lojë për objektivat që kanë. Kampionati është shumë i fortë dhe problem do të jetë vetëm nëse ndonjë ekip shkëputet nga gara.

Fakti që në tri nga pesë ndeshjet e javës së fundit pati gabime që ndikojnë në rezultat nga arbitrat, mendoni se është një sinjal i keq për garën në vazhdimësi?

Në fakt, arbitrat tashmë janë në lupë të madhe, pasi jemi në një moment delikat të sezonit. Në përgjithësi nëse bëjmë një analizë të sezonit deri më tani, nuk mendoj se kemi pasur një arbitrim të keq. Normalisht gabime do të bëhen, por tashmë gjyqtarët duhet të jenë më të përgjegjshëm. Edhe FSHF duhet ta shikojë me përparësi këtë situatë. Kërkohet kujdes i madh, sepse një vendim i gabuar të hedh poshtë gjithçka investon për një sezon. Pres më tepër korrektësi, edhe pse dihet që gabime do të ketë. Madje, jam i shokuar kur pashë atë që ndodhi në Serinë A në ndeshjen SPALFiorentina. Një lëmsh i vërtetë edhe me VAR. Mendo sikur të ndodhte këtu te ne ajo, sa problem do të bëhej.