Rubin Hebaj nuk u jep rëndësi rekordeve personale, por e ka të qartë se prej tij priten golat. Mund ta themi pa frikë se ky ka qenë momenti i sulmuesit dhe ai shpreson që të njëjtën formë ta ketë edhe kur të nisë kampionati.

22-vjeçari “lutet” që sezoni të nisë sa më shpejt dhe mbi të gjitha ngjeshja të mos sjellë pasoja te lojtarët. Teksa skanon gjendjen e ekipit dhe objektivat, e thotë hapur që kanë grupin e duhur për të guxuar më shumë se një vit më parë.

Edhe kjo javë rrezikon që të mos ketë futboll, por a është gati Teuta për startin e sezonit 2020- 2021?

Patjetër që po. U bë kohë që po punojmë dhe jemi më shumë se gati dhe të etur. E vetmja gjë që presim është që të vijë lajmi i madh dhe ne do të zbresim në fushën e blertë për të luajtur javën e parë. Do të jetë një kampionat i vështirë, në fakt, dhe kjo është e kuptueshme, pasi nga pandemia kaluam te bojkoti. Shpresoj të fillojmë sa më shpejt e të mos kemi pasoja nga këto lloj ndërprerjesh…

Kampionati për ju nis me Skënderbeun. Si e shihni kundërshtarin?

Nuk do të kemi probleme, e thashë që jemi gati. Do të bëjmë më të mirën duke filluar që nga Skënderbeu e për të kaluar me radhë te të gjithë kundërshtarët.

Teuta rinovoi me ju, a është gati Hebaj që t’ia shpërblejë me gola? E di çfarë është e rëndësishme?

Që unë e doja kaq shumë qëndrimin në Durrës, isha i lumtur për të nënshkruar edhe një sezon këtu dhe nëse je i lumtur, mendoj se gjithçka shkon mbarë. Unë jam profesionist dhe do të bëj maksimumin që ta ndihmoj ekipin të ecë përpara. Mbetet detyra ime që të bëj paraqitje sa më të mira me këtë fanellë.

Duke qenë se jemi te golat, sa mendoni se do të shënoni?

Për momentin, nuk mund të them asgjë. Do të ishte një premtim pa bazë, nëse do të jepja shifra tani. Do të jap 100% tim në këtë skuadër, ky është zotimi im i vetëm. Objektivat personalë, rekorde apo statistika për mua janë të pavlera, nëse nuk janë në shërbim të ekipit. Ky do të jetë objektivi im personal.

A do të guxojë më shumë Teuta këtë sezon?

Mendoj se kemi një skuadër të kompletuar, një grup tejet cilësor dhe me përvojë, si edhe elementë të rinj të talentuar. Po stërvitemi shumë mirë dhe kam besim se në fund do t’i arrijmë të gjithë objektivat që na ka vendosur klubi.

Po vetë Rubini, çfarë pret nga ky vit?

Synimet e mia janë të thjeshta: të jem në shërbim të ekipit dhe i gatshëm për ta ndihmuar atë për objektivat që klubi ka. Pastaj, si çdo futbollist, edhe unë dua që të shkoj sa më lart, pse jo, të nis një aventurë jashtë Shqipërisë.