Për një futbollist është shumë e vështirë të qëndrojë i ngujuar në shtëpi, pa e parë për ditë të tëra fushë. Sulmuesi shkodran i Teutës, Rubin Hebaj, e ka përjetuar me ankth këtë moment të pazakontë. Këtë e thotë vetë lojtari. Shkodrani që u afrua te “djemtë e detit” në janar, tregon për vështirësinë e kësaj periudhe, por edhe kushtet si po stërvitet në shtëpi.

Rubin, si po i kalon këto ditë izolimi dhe a e ke marrë veten ndopak nga kjo situatë që po përjetojmë?
Kjo është një situatë shumë e vështirë dhe nuk e mendoja kurrë se do arrinim deri në këtë gjendje. Në fillim nuk e mora seriozisht, por masat u shtrënguan dhe kur dëgjonim se çfarë po bëhej në Itali, kuptovasituatën. Atje po vdisnin qindra persona në ditë dhe mendova se rrezikoheshim vërtet shumë.

A është ky një moment reflektimi edhe për njerëzit e sportit, veçanërisht ju lojtarët?
Po është e vërtet kjo, pasi kur e shikon në një këndvështrim tjetër, duket sikur është natyra që hakmerret ndaj nesh. Mushkritë tona janë ato që po bllokohen tani me këtë virus. Duhet të na lërë një mësim të madh që ta duam planetin tonë dhe çdo gjë që ekziston në këtë tokë.

E gjeni motivimin e mëparshëm për të stërvitur?
Për mua si lojtar është vërtet shumë e vështirë. Më mungon shumë ajo monotonia e ditës. Stërvitja, ndeshjet, gjithçka. Jam adoptuar në shtëpi dhe tani bëj stërvitjet sa më lejon edhe vendi i shtëpisë. Qëllimi është për të mbajtur muskujt në formë.

E mendoni vazhdimin e kampionatit apo besoni se ky sezon mund të jetë mbyllur tashmë pas kësaj situate?
Nuk mendoj se tani në këto momente e ka dikush mendjen te vazhdimi i kampionatit. Të ndihmojmë njëri-tjetrin për ta kaluar këtë moment. Të qëndrojmë në shtëpi dhe të respektojmë rregullat e shtetit, që të dalim sa më parë nga kjo situatë.