Rubin Hebaj vendosi të rinovojë kontratën me Teutën edhe për një sezon.

Sulmuesi shkodran tregoi formë të mirë në pjesën e fundit të sezonit 2019-2020, duke ndihmuar durrsakët të fitojnë trofe dhe kaluar një tur në Ligën e Europës.

Hebaj flet për rinovimin, momentin e mirë që po kalon dhe synimet.

Rubin, duket se keni gjetur veten tashmë dhe po shënoni rregullisht edhe në ndeshjet miqësore…?

Ndeshjet miqësore na shërbejnë për të marrë ngarkesën e duhur para startit të sezonit. Së fundmi, ndaj Kastriotit bëmë mirë, por mund të shënonim më shumë.

Ekipi dhe unë jemi në rrugë të mbarë për të vijuar aty ku e lamë sezonin e kaluar. Cilat ishin arsyet që ju shtynë për të rinovuar me Teutën?

Unë ndihem shumë mirë duke punuar këtu në Durrës. Me mbështetjen e klubit dhe shokëve, jam shumë i kënaqur. E di rëndësinë e klubit dhe do të jetë një sfidë për mua të udhëheq sulmin. I jam mirënjohës klubit për vlerësimin që ka në lidhje me atë që unë po jap në fushë. Jam i lumtur që do mbaj veshur sërish këtë fanellë.

Trajneri Martini ju provoi bashkë me Krasniqin në sulm. Mendoni se Teuta duhet të vazhdojë të luajë me dy sulmues të deklaruar?

Preferoj të luajmë së bashku me Krasniqin, por gjithmonë vendos trajneri. Si unë dhe Blerimi jemi lojtarë që bëjmë gjithçka për të ndihmuar skuadrën. Do të bëjmë mirë, pasi me këtë rreshtim kemi luajtur vetëm pak ndeshje.

Me sa gola do ishte i kënaqur Hebaj në sezonin e ri?

Nuk e di sa gola do shënoj, por mund të premtoj se do punoj shumë. Kam dëshirë të jap maksimumin për Teutën dhe dua ta ndihmoj këtë skuadër që të vazhdojë të fitojë trofe.

Cilët janë objektivat këtë sezon?

Dua që të fitojmë kampionatin, që i mungon Teutës prej shumë vitesh, por do të bëjmë sa më mirë edhe në Kupë. Gjithashtu në aspektin personal dua të përmirësoj sa më shumë statistikat. Shpresoj që të bëjmë gjëra të mëdha së bashku me ndihmën e tifozëve.