Fitorja e Teutës ndaj Skënderbeut ishte një dedikim për Emiliano Vilën, i cili 48 orë përpara kishte humbur personin më të dashur të tij, babanë. Sulmuesi i Teutës Rubin Hebaj foli për ambiciet e fitimit të një trofeu me ekipin durrsak, por edhe për të ardhmen.Hebaj shprehet se tashmë ka rigjetur ritmin dhe formën e tij dhe shton se ka shpresë që të shënojë për Teutën gola të vlefshëm që do të shërbejnë për të arritur objektivat që ka vënë klubi. Për ndeshjen e radhës me Kukësin, sulmuesi vlerëson formën që po kalon skuadra dhe shton se pret maksimumin edhe ndaj Kukësit. Hebaj tregon edhe se çfarë mund ta bëjë diferencën në këtë përballje.

Teuta vazhdon formën e mirë, si erdhi fitorja ndaj Skënderbeut?

Gjatë gjithë ndeshjes ishim të freskët, shënuam, por duhet pranuar se Skënderbeu kishte momente në të cilat na vuri në vështirësi gjatë pjesës së dytë. Ishte një ndeshje e sikletshme, por falë Zotit rezultati na bën të qeshim. Gjithsesi, unë mendoj se “lufta” sapo ka filluar dhe neve na duhet që të mendojmë menjëherë për Kukësin. Unë jam shumë i gëzuar për tri pikët që morëm dhe dua të them se ishte një fitore për Emiliano Vilën.

Si është atmosfera në ekip dhe gjendja e lojtarëve?

Jemi munduar të harrojmë sa më shpejt atë fitore ndaj Skënderbeut, pasi ndeshja e radhës është akoma më e vështirë dhe duhet të fokusohemi maksimalisht. Mendoj se gjendja psikologjike është shumë e mirë dhe të shtunën do të luajmë për të marrë tri pikët.

Mendoni se Teuta do të marrë 3 pikë edhe ndaj Kukësit?

Kjo është një pyetje subjektive, por të them të drejtën, kjo varet nga sjellja e lojtarëve në fushë dhe nuk mund të them dot nëse do të fitojë Kukësi apo Teuta. Në kampionatin shqiptar diferencën e bëjnë grimcat e vogla. Kush do të jetë më i përqendruar, dhe ekipi që do të luftojë fort në dy fazat e lojës, mendoj se do ta fitojë takimin.

Si keni menduar ta mposhtni Kukësin?

Ne i përgatisim ndeshjet sipas kundërshtarit që kemi, duke parë pikat e dobëta dhe të forta të tij. Por besoj që pas ndeshjes së parë të kupës e dimë mënyrën e lojës së kundërshtarit. Megjithatë, duhet të tregojmë kujdes pasi Kukësi ka lojtarë cilësorë në vijën e sulmit.

Keni treguar rritje të formës nga ndeshja në ndeshje: çfarë ka ndryshuar te Hebaj?

Të them të drejtën, në momentin e parë kur erdha sapo kisha lënë pas dëmtimin. Për mua, në këto momente e rëndësishme është që kam gjetur ritmin. Me kalimin e kohës gjërat morën drejtim, por edhe ekipi më ka ndihmuar shumë në filozofinë time të lojës. Tashmë shpresoj të ruaj ritmin dhe të shënoj sa më shumë në mënyrë që t’i shërbej skuadrës që të arrijë objektivat sezonalë.

Ku do të jetë e ardhmja e Hebajt?

Momentalisht mendoj vetëm për ndeshjet e ardhshme, pasi dëshira ime është që ta mbyll sezonin me trofe. Unë kam synimin që të realizoj objektivin e fitores së Kupës dhe pjesëmarrjen në kupat e Europës. Ka edhe 5 ndeshje të mbetura, por momentalisht e shoh veten në finale. Pastaj do të vendos me qetësi. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të rri edhe një vit tjetër në Durrës.