Teuta di të fitojë dhe me dhjetë lojtarë dhe këtë e tregoi ndaj kampionëve të Skënderbeut, e për më tepër në shtëpinë e këtyre të fundit. As më pak e as më shumë heroi i atij takimi u shndërrua Kamara, i cili realizoi golin e vetëm të takimit me vlerën e tri pikëve. Ai tregon emocionet e ndeshjes në Korçë, por edhe se çfarë pret në ndeshjen e radhës ndaj Partizanit.

Kamara, sërish shënove, këtë radhë ndaj Skënderbeut, si u ndjeve?

Normalisht, goli është një emocion i veçantë, por duke parë sa e rëndësishme ishte kjo fitore për ne, kundër kujt kundërshtari erdhi dhe si erdhi emocioni, dyfishohet akoma më shumë ndjenja e mrekullueshme. Jam shumë i lumtur për golin, për pikët dhe për ekipin që vazhdojmë në rrugëtimin tonë.

E kishit menduar golin përpara ndeshjes në Korçë?

Do thosha, më shumë e kam dëshiruar. Çdo futbollist e kërkon dhe dëshiron të shënojë, duhet të jesh aty në vendin e duhur, në kohën e duhur për të shfrytëzuar shansin dhe këtë herë fati ishte me mua.

Sa vlen kjo fitore ndaj Skënderbeut?

Vlen shumë sepse duke parë sesi shkuan gjërat në atë takim, gjithçka mund të ndodhte, mund të kishte rrjedhur ndryshe. U treguam të zotët, e dinim që në pjesën e dytë nuk do kishim asgjë të lehtë, por ishim të vendosur për t’i shkuar atij takimi deri në fund dhe ia dolëm. Ishte një trepikësh shumë i vuajtur, por në fund na shijoi shumë sepse nuk është aspak e lehtë të fitosh përballë Skënderbeut. Mendoj se kemi treguar forcën tonë dhe ekipet e tjera na druhen.

Jeni kthyer në titullar fiks, a mendoni se e keni shpërblyer ekipin apo keni ende për të dhënë?

Falënderoj stafin që më ka dhënë besimin e duhur dhe unë gjithmonë kam punuar dhe punoj për të shpërblyer çdo gjë. Gjithmonë dua të jap më të mirën time dhe jam i lumtur që po kaloj këtë moment. Normalisht, asnjëherë nuk kënaqesh me veten, pas çdo suksesi kërkon akoma dhe më shumë, ndaj dhe unë punoj akoma më shumë, më fort që të jap ende më të mirën time në ndihmën e skuadrës.

Festa me Sidibe, çfarë kuptimi kishte?

Është një kërcim që origjinën e ka nga Afrika, është një kërcim i ri. E kisha praktikuar me Sidibe para ndeshjes dhe fati donte që të shënoja dhe të festoja me të në atë mënyrë.

Sa larg mund të shkojë kjo skuadër?

Ne jemi një grup shumë i fortë dhe tani jemi kuptuar shumë mirë me njëri-tjetrin dhe me formën që kemi treguar, mendoj se kemi potencialin për të marrë më të mirën nga ky edicion. Jemi aty ku duam dhe kjo nuk do thotë që jemi mjaftuar, ka ende shumë punë për të bërë dhe javë pas jave me rezultate pozitive do shohim se ku jemi dhe deri ku mund të arrijmë.

Tani, ndeshja radhës është me Partizanin, si e shikoni?

Është një kundërshtar i fortë dhe ashtu do jetë dhe ndeshja përballë tyre, e fortë dhe emocionuese mendoj. Ne punojmë çdo ditë, respektojmë çdo kundërshtar dhe kështu vazhdojmë dhe me skuadrën e Partizanit. Do hyjmë për ta fituar takimin, sepse duam shumë të ruajmë ecurinë dhe jemi të etur për pikë.