Në prag të kryesfidës së Serisë A, mes Juventusit dhe Napolit, që do të luhet të dielën në mbrëmje në ‘Allianz Stadium’, vëmendja ndaj kësaj ndeshjeje po bëhet gjithmonë e më e madhe.

Bardhezinjtë dhe skuadra e Sarrit do të diskutojnë një sfidë që mund të jetë vendimtare për titullin kampion, kur kanë mbetur edhe 5 ndeshje nga fundi i sezonit.

Sa i përket fushës së lojës, të gjithë janë të mendimit që kjo është një sfidë pa favoritë, pasi nga njëra anë Napoli i Sarrit është etiketuar si një nga skuadrat që luan futbollin më të bukur në botë dhe nga ana tjetër, bardhezinjtë e Allegrit shquhen për racionalitetin e skajshëm që tregojnë në fushë, pasi fitojnë edhe atëherë kur vuajnë shumë.

Gjithsesi, në letër Juventusi nuk ka rival, pasi po të shikosh paratë e shpenzuara për kompletimin e skuadrës, vetëm Higuain ka kushtuar më shtrenjtë se formacioni i napolitanëve.Sulmuesi argjentinas u ble pikërisht nga Napoli, për shumën e 90 milionë eurove, ndërsa titullarët e Sarrit kanë kushtuar të gjithë bashkë 82.3 milionë euro.

Ja sa kanë kushtuar futbollistët titullarë të Napolit:

  1. Pepe Reina – 2 milionë euro
  2. Elseid Hysaj – 5 milionë euro
  3. Raul Albiol – 12 milionë euro
  4. Kalidu Koulibaly 7.8 milionë euro
  5. Mario Rui – 10 milionë euro
  6. Allan – 11.5 milionë euro
  7. Jorginho – 9.5 milionë euro
  8. Marek Hamsik – 5.5 milionë euro
  9. Jose Callejon – 9.5 milionë euro
  10. Dries Mertens – 9.5 milionë euro
  11. Lorenzo Insigne – ka dalë nga ekipi i të rinjve