Teuta fitoi trofenë e parë pas një argjërimi 15-vjeçar. Meritë e një grupi të forte. Individi bën diferencën, por grupi fiton trofetë dhe në piedestal, më shumë se një futbollist i veçantë, duhet të ngjitet e gjithë skuadra, megjithatë kjo nuk mund të largojë dritat e reflektorëve nga disa elementë që me paraqitjet e tyre kanë ndikuar ndjeshëm në këtë sukses absolut.

Rustem Hoxha dhe Renato Arapi, dy futbollistë që së bashku ndërtuan një mur aq të lartë, saqë pak skuadra ia dolën ta kapërcenin. Mbrojtja e dytë më e mirë e kampionatit dhe për këtë meritë të padiskutueshme kanë dy “ministrat e mbrojtjes”.

Nëse në një skuadër të mirë mjafton një lider në fushë edhe me vepra, edhe me fjalë, Teuta kishte dy. Hoxha është ndoshta mbrojtësi më i mirë i sezonit, absolut në ajër, i qartë taktikisht, i fortë fizikisht, madje edhe golashënues, 2 gola në kampionat e 3 në Kupë, vendimtar në gjysmëfinale kundër Kukësit e në finalen përballë Tiranës.

Përfaqësuesja shqiptare i ka sytë gjithnjë tek ligat e huaja, por nëse për momentin një mbrojtës nga Superiorja e meriton fanellën kuqezi është Rustem Hoxha.

Renato Arapi, kur në janar të 2019-s erdhi nga Turqia, duke mos luajtur shumë, dhe për herë të parë në karrierë veshi fanellën e skuadrës së qytetit të tij, ndoshta nuk u shfaq që në fillim në nivelet maksimale, por në këtë sezon mori rolin e një udhëheqësi dhe nuk ishte thjesht “ministri i mbrojtjes”, por kryeministri i Teutës.

Një kapiten i vërtetë nga dita e parë deri në ditën e fundit, në çaste të lumtura e në momente zhgënyese. Në karrierë ka fituar 6 tituj kampion me Skënderbeun, por përshtypja është që asnjë nga ata tituj nuk i ka shijuar sa Kupa që e ngriti vetë lart në qiell mbrëmjen e 2 gushtit.