Disfata në tokën spanjolle mund të transformohet pas dy javësh në eliminim nga Liga e Kampioneve, një objekti i deklaruar i parizienëve dhe një nga arsyet e zbarkimit të Nejmarit në Paris. Braziliani është i papërmbajtshëm në kampionatin vendës, ndërsa në Europë nuk po bën dot diferencën, shkas kjo për kritikat e shumta që kanë vërshuar mbi sulmuesin.

Nëse shokët e tij të PSG-së ekzaltojnë aftësitë realizuese të Ronaldos, ka nga ata kritikë, si braziliani Valter Kasagrande, ish-sulmues i Torinos, që në një deklaratë për mediat tregohen direkt: “Nejmarin po e llastojmë shumë. Në këtë mënyrë po krijojmë një monstër”.

BABAI – “Në luftë ka nga ata që ushqehen me fitore dhe të tjerë që, si hutat, ushqehen me kufomat e betejës. Nuk bëjnë asgjë, nuk prodhojnë asgjë duke jetuar me shkëlqimin dhe më së shumti me momentet e vështira të presë së tyre”.

Fjalë të rënda këto nga babai i Nejmarit, i cili ka vendosur që të mbrojë të birin nëpërmjet një postimi në rrjetin “Instagram” pas kritikave të shumta që pasuan humbjen e PSG-së në Madrid ndaj Realit.

MESAZHI I NEJMARIT – Pak fjalë, por shumë vendosmëri nga ana e Nejmarit, i cili, pas humbjes me Realin, në profilin e tij “Instagram” shprehej:“Faleminderit o Zoti im për të gjitha momentet e bukura që po përjetoj në futboll, veçanërisht për ato të vështira”, një sinjal i qartë ky që për 26-vjeçarin fjala “fund” nuk mund të shkruhet ende.