Një ekip futbolli i tërë ka përfunduar në karantinë, pasi një prej personave që kanë rezultuar të infektuar me “coronavirus” së fundmi në Itali ishte futbollist dhe të shtunën ka qenë në fushën e lojës me ekipin e tij për të luajtur në kampionatet rajonale.

M.M., 38-vjeçar është identifikuar si një nga personat që ka shpërndarë së fundmi virusin që po tmerron botën në krahinën e Lombardisë para se të përfundonte i shtruar në gjendje të rëndë në spital. Ai raportohet se është një person i dhënë pas sportit e në muajin e fundit kishte marrë pjesë edhe në gjysmë-maratonë.

Nuk dihet ende se ku ka kontaktuar virusin, por persona të ndryshëm pranë tij janë infektuar dhe tashmë janë izoluar, ndërsa autoritetet shëndetësore italiane po kërkojnë të gjithë njerëzit me të cilët ka kontaktuar së fundmi për të identifikuar edhe persona të tjerë të infektuar.

Ai ishte mesfushor i skuadrës së Pikio di Somalja dhe të shtunën kishte luajtur rregullisht në kampionat në barazimin 0-0 ndaj Amatori Sabioni. Të gjithë shokët e tij të skuadrës, rreth 20, janë kontaktuar dhe janë ftuar që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre të paktën deri në fund të shkurtit, ndërsa do të kontrolloheshin vazhdimisht nga personeli i specializuar mjekësor.

Ndërkohë, ai luante dhe minifutboll dhe mendohet se nëpërmjet tij ka kaluar edhe virusi që është konstatuar tek tre klientë të një lokali, pasi djali i pronarit kishte luajtur me të së fundmi.