Teuta nuk përforcoi vetëm organikën gjatë merkatos së verës së kaluar, por edhe stafin teknik. Pjesë e durrsakëve u bë edhe përgatitësi fizik, Iris Selimi. CV-ja e tij është për t’u pasur zili. Jo vetëm që është formuar në Itali, por prej vitesh ka ushtruar profesionin te Skënderbeu dhe aktualisht është pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë. Bashkë me të, në Durrës ka ardhur edhe teknologjia GPS. Dhe kush më mirë se vetë Selimi mund të na e shpjegonte rëndësinë e saj. Në një intervistë ai skanon gjendjen e ekipit. 

Skuadra u bë gati ditë që po stërvitet, si është gjendja e lojtarëve? 
Java e parë për çdo ekip është ajo më delikatja, pasi vijnë nga përfundimi i kampionatit dhe duhet pasur kujdes nga ngarkesat për të evituar dëmtimet. Fillimisht u përqendruam te testet fizike për të parë gjendjen dhe në varësi të saj, të programonim stërvitje individuale, por dhe specifike për fazën përgatitore. 

Sa e vështirë është të jesh përgatitës atletik në Shqipëri? 
Do më pëlqente më shumë të më quanit trajner i përgatitjes fizike dhe jo atletike. Dhe këtë e them pasi sot futbolli ka evoluar shumë dhe stërvitja është gjithmonë më funksionale sesa atletike, pra në funksion të sportit dhe jo lojës specifike. Sot figura e përgatitësit atletik dhe fizik ka një vlerësim shumë të mirë nga ana e klubit. Më kujtohet kur fillova në vitin 2012 te Skënderbeu, në atë kohë ishin vetëm 2- 3 klube që kishin përgatitësit fizik. Por, sot ka një vlerësim shumë të madh dhe kërkesë të jashtëzakonshme nga të gjitha klubet e Superiores. Dhe kjo është pozitive. 

Çfarë impakti ka një përgatitës atletik në skuadër? 
Siç e thashë edhe më lart, përgatitësi fizik sot është më i kërkuar dhe vlerësuar në Shqipëri. Po të hedhim një sy dhe të shohim ekipet evropiane, kjo figure është prezente në një numër shumë të madh, madje mund të shkojë deri në 5 veta, ku secili ka detyrat e tij specifike brenda skuadrës. Unë si profesionit i përgatitjes fizike jam person në kontakt më shumë me futbollistët, midis futbollistit dhe trajnerit apo futbollistit dhe klubit. Sepse jam ai person që duhet të di të gjitha të dhënat e futbollistit nga momenti që ai zgjohet deri në momentin që ai shtihet për gjumë. Kjo do të thotë se duke ditur procesin e tij gjatë gjithë ditës, sa është ushqyer, sa ka fjetur, unë jam i gatshëm për të llogaritur ngarkesën dhe programuar stërvitjen. 

A është e vështirë të jesh profesionist në kampionatin shqiptar, pra, a e kanë të gjithë futbollistët impenjimin maksimal? 
Të jesh profesionist sot në Shqipëri, nuk është absolutisht e vështirë. Por, kjo lidhet ngushtë pikësëpari me profesionalizmin e klubit, pasi është ai që duhet të sigurojë fushën stërvitore, bazën materiale dhe korrektësinë. Përgjegjësi ka edhe trajneri, pasi ai duhet të japë shembullin e mirë para ekipit. Që do të thotë të vijë para futbollistit në stërvitje, të ketë gati programin stërvitor dhe të jetë koordinuar me pjesën tjetër të stafit sa i përket procesit. Nëse struktura funksionin, ka edhe profesionalizëm. Siç është aktualisht klubi i Teutës me stafin e tij, normal ndikon fleksibiliteti, sigurisht dhe futbollistit do të jenë profesionistë. Në klubin tonë mund të them se të gjithë kanë impenjimin maksimal. 

Në kampionatin shqiptar shpesh mungon ritmi, pse ndodh kjo? 
Nuk është e vërtetë që mungon ritmi. Po të shikojmë kampionatin që sapo mbaroi, niveli ishte goxha i mirë dhe ekipet pothuajse ishin të ngjashme me njëra-tjetrën. Ndeshjet ishin të gjitha të forta dhe fitoret bëheshin të vështira. Kjo vërtetohet edhe te skuadrat që luftuan deri në momentin e fundit, si për mbijetesë apo për Europë. Ndaj, mendoj se ritëm ka. Ndoshta, sa i përket shpejtësisë dhe lëvizshmërisë së lojës, ka të bëjë dhe me atë që një trajner kërkon nga ekipi. 
Dimë që prej një viti keni edhe programin GPS, për çfarë shërben konkretisht? 
Nga sezoni i kaluar, klubi i Teutës na dha mundësinë të pajisemi me GPS dhe kjo do të thotë se çdo lojtar gjatë stërvitjes apo lojës mund të masë 40 parametra që janë të rëndësishme për leximin e tyre dhe ngarkesën e një programimi stërvitor. Këta parametra nxjerrin kilometrat e mbuluar në lojë, po ashtu dhe shpejtësinë (të ulët, mesme apo lartë), përshpejtimin, frenimin, potencën metabolike apo të tjera specifika që duhen zbërthyer e analizuar. Normalisht, duke pasur në kontroll gjithçka me anë të GPSë, na bëhet më i thjeshtë edhe procesi i punës. 

Po dietat, sa ndikojnë në formën e një lojtari? 
Për sa u përket dietave, klubi u mundëson lojtarëve drekën edhe darkën. Në këtë formë, ushqimi jepet tejet i kontrolluar. Dhe duhet thënë që çdo vakt kërkon matjen e duhur në % e karbohidrateve, proteinave apo dhjamërave. Për këtë duhet falënderuar klubi, pasi na mundëson që pas çdo stërvitjeje apo ndeshjeje proteinat, aminoacidet dhe kripërat minerale. 
Cili është futbollisti që ju ka bërë më shumë përshtypje për mënyrën sesi stërvitet dhe regjimit që mban te Teuta? 
Nuk mund të ankohem, pasi kanë qenë të përkushtuar. Unë janë një trajner që kërkoj gjithmonë shumë dhe ajo që jam munduar t’u transmetoj gjatë gjithë kohës, është kultura e të punuarit. Kjo do të thotë se çdo lojtar para se të vinte në stërvitje ka pasur detyrat e tij sa i përket performancës. Edhe kur ka pasur mangësi, i kemi dhënë program specifik individual, që do e kryente pas stërvitjes në palestër, për shembull. Dhe ua kam shpjeguar, se nuk mjaftojnë dy orë stërvitje për të arritur formën. 

Kush është idhulli juaj? 
Në këtë profesionin është pak e vështirë të kesh idhuj dhe maksimumi mund të kesh modele referimi. E them këtë, pasi në sektorin tonë, çdo profesionist aplikon filozofinë e tij. Sigurisht, kam modelet në përditshmërinë e punës sime dhe ata vijnë nga bota italiane e futbollit. Duke qenë se unë jam produkti i kësaj qasjeje, pasi jam licencuar në një nga shkollat më të mira të futbollit, “Koverçano”, jam vazhdimisht në ndjekje të risive dhe metodave të reja që vijnë nga profesionistët në Itali. 

Dhe për ta mbyllur, cila është ëndrra më e madhe e Irisit? 
Çdo profesionist ka edhe ëndrra, e imja është që të punoj për Kombëtaren shqiptare. Pjesërisht e kam realizuar, duke qenë se prej 2012-ës jam pjesë e stafit tek ekipi U-21. Megjithatë, Kombëtarja e madhe mbetet akoma ëndrra ime e madhe.