Një tjetër trofe në karrierën e tij, një tjetër finale e fituar që i përmirëson rekordin negativ të tij. Jyrgen Klop në festë. Harron Superkupën e humbur të Anglisë dhe triumfon në Stamboll, vite dhe vite pas suksesit kundër Milanit në finalen e Champions-it, gjithnjë me penallti.Trajneri gjerman feston, vrapon, qesh dhe kërcen.

I lejohet spektakli pas penalltisë së fundit të pritur nga Adrian që festohet përpara kamerave në mënyrë të pazakontë për të tjerët, por jo për një si ai: “Adriaaaaaaan, si Roki”. Kjo është batuta e 52- vjeçarit për gazetarin e “BT Sport”, i pari që i drejton mikrofonin përpara kamerave.

Dhe Klop huazon një prej citimeve më të famshme të filmit legjendar të Stalones: “Jam i lumtur për të, nuk mendoj se është një që ka fituar shumë në jetë. Ai nuk është vetëm i shkëlqyer në fushë, por personalitet edhe në dhomë. Ndoshta në pushimin e pjesës së parë e ngriti zërin më shumë se unë”.

Pastaj analiza e ndeshjes: “Ishte një ndeshje shumë e vështirë për të dyja skuadrat. Rëndësi kishte fitorja dhe ne ia dolëm në fund. Askush në stadium nuk donte shtesë, ishte vrasëse. Nuk jam shumë i sigurt nëse ajo ishte penallti për Çelsin, por kujt i plas tani. E nisëm mirë, por pastaj u tërhoqëm. Mund të flasim për futboll, por është shumë vonë tani. Ne duhet të luftonim dhe djemtë e bënë. Pyeta Milnerin dhe Hendersonin se si njerëzit e shikojnë këtë trofe në Angli dhe ata më thanë se e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm. Është në murin e qendrës stërvitore dhe ata do të duhet ta ndryshojnë numrin e tij. Le të vazhdojmë kështu dhe t’i bëjmë njerëzit e lumtur”, shtoi Klop.

Nuk mungon edhe batuta për arbitren femër, Stefani Frapar: “I thashë trupës së gjykimit pas ndeshjes se nëse ne do të kishim luajtur siç ato drejtuan, do të kishim fituar 6-0. Ato bënë një ndeshje të shkëlqyer. Ishim me të vërtetë shumë mirë. Kishte shumë presion në një moment historik dhe ato qëndruan të qeta dhe bënë atë që duhej bërë, duke marrë vendime në një ndeshje të rëndësishme. Nuk mund të mos kem respekt maksimal për Stefani Fraparin”.