Të gjithë duket se janë dakord që Zlatan Ibrahimovic të rikthehet te Milani, sidomos pas deklaratës që sulmuesi suedez tha dy diktë më parë: “Është më e lehtë që unë të riklthehem te Milani se sa Wenger të bëhet trajneri i kuqezinjve”. Dhe sot ka ardhur konfirmimi nga menaxheri i tij Mino Raiola se ky transferim i sulmuesit 37-vjeçar nga LA Galaxy te Milani është plotësisht i mundur.

“E ardhmja e Ibra? Konfirmoj atë që kam thënë deri më tani. Marrëdhëniet e mia dhe të lojtarit me Milanin janë shumë të mira, ndaj gjithçka është e hapur për rikthimin e tij me fanellën kuqezi”, tha Mino Raiola. Por do të jetë lojtari ai që do të thotë fjalën e fundit për një rikthim në Europë, ndërkohë që më pas Raiola do të ulet në bisedime me drejtuesit e LA Galaxy për të zgjidhur kontratën dhe sjellë sërish Ibrahimovic në Milanello.

Formula e propozuar nga Milani është ajo e një kontrate 6-mujore, deri në fund të sezonit dhe me të drejtë rinovimi në rast se Milani kualifikohet në Champions League.