Në Itali nuk ka një ditë të vetme që të mos flitet për Mauro Icardin. Situata e sulmuesit argjentinas ka marrë përmasa edhe më të mëdha duke prekur kufijtë botërorë, megjithatë deri tani janë vetëm zëra, pasi Icardi nuk po bën asnjë lëvizje konkrete për të sheshuar të gjitha kontradiktat me drejtuesit e Interit dhe shokët e skuadrës dhe për t’u rikthyer në dispozicion të Spallettit.

Wanda Nara në media është shprehur shpeshëherë se punon për paqen mes bashkëshortit të saj dhe klubit pasi Icardin e dashuron Interin dhe dëshiron të qëndrojë në Milano.

Deklarata këto që ngjasojnë me tepër me një farsë të vërtetë dhe që po prishin gjithnjë e më shumë imazhin dhe reputacionin e 26-vjeçarit i cili përveç se duhet të bëjë paqe me drejtuesit zikaltër duhet të fitojë sërish edhe besimin e tifozëve të cilët e kanë vendosur nën shënjestër dhe kanë filluar ta urrejnë në masë, sidomos pas farsës së një dëmtimi të sajuar.

Fakti që Icardi nuk u kthye të jetë pjesë e skuadrës edhe në javën më të rëndësishme të sezonit atë që fillon me sfidën ndaj Frankfurtit në Europa League dhe vazhdon me derbin e Madoninës, aq më tepër që zikaltrit janë në emergjencë totale për shkak dëmtimesh dhe pezullimesh, është një sinjal mëse i qartë mes palëve nuk do të ketë më një ribashkim.

Madje është e qartë që Icardi shtiret dhe një pjesë e madhe e fjalëve që tha në letrën e tij pak ditë më parë ishin thjeshtë gënjeshtra. Rikthimi i Icardit tashmë është një mister dhe largimi i tij në verë është bërë i pashmangshëm. Mediat në Itali shkruajnë se Maurito do të rikthehet në skuadër pas pauzës së kombëtareve por edhe kjo është diçka që vështirë se do të ndodhë.

Nëse Interi nuk do ta ketë Icardin në dy sfidat delikate ndaj Frankfurtit dhe Milanit që mund të vendosin shumë për fatet e sezonit, vështirë se Spalletti do të dojë ta rintegrojë në ekip numrin 9 për pjesën e mbetur të kampionatit pas pauzës së kombëtarëve pasi Lautaro po e bind gjithnjë e më shumë dhe është rikthyer nga dëmtimi Keita për këtë arsye alternativat nuk mungojë dhe trajneri nuk ia ndjen nevojën Icardit.

Në ditët e fundit po flitet gjithnjë e më shumë edhe për interesimin e Realit të Madridit për sulmuesin argjentinas, por nëse loja e pistë e Wanda Narës dhe e Mauro Icardit është që bomberi 26-vjeçar të mos luajë deri në fund të sezonit për ti rënë sa më shumë vlera në merkato dhe për t’u larguar më pas me një çmim më të arsysueshëm që as nuk i afrohet 110 milionë eurove të klauzolës, të dy po gabojnë rëndë, sepse të luash me familjen Zhang është si të luash me zjarrin.

Këtë e ka provuar në kurriz braziliani Ramires dhe mesa duket Wanda dhe Icardi nuk i kanë bërë mirë llogaritë. Ish mesfushori i Chelseat në janarin e vitit të kaluar kërkoi me çdo kusht largimin nga Jiangsu Suning, skuadra e pronarëve të Interit në Kinë për tu transferuar te Lazio.

Braziliani doli kundër dëshirës së drejtuesve të klubit dhe çfarë bëri familja Zhang, ose më konkretisht Zhang Jindong, jo vetëm që nuk e lejoi të largohet por e degëdisi te skuadra rezervë dhe prej 15 muajsh, Ramires është aktivizuar në vetëm 1 ndeshje në Kupën e Kinës me Jiangsu, ndërsa rri gjithmonë në tribunë, stërvitet i vetëm dhe pret përfundimin e kontratës.

Nëse Icardi nuk i sjell Interit në verë milionat që pretendon klubi milanez të njëjtin fat si Ramires mund të ketë edhe ai duke qëndruar për dy vite në tribunë dhe duke u stërvitur i vetëm deri në përfundim të kontratës. Por nëse kjo ndodh e sigurtë është që karriera e Mauro Icardit në nivelet më të larta do të merrte fund dhe i djeguri i madh i gjithë kësaj situate do të ishte vetë sulmuesi argjentinas.