“Pres deri javën e ardhshme dhe më pas do të shkoj te Roma”. Mbase jo fjalë për fjalë, por është ky mesazhi që Mauro Ikardi i ka dhënë Juventusit. Argjentinasi ka vendosur të largohet nga Interi dhe sa më shpejt të jetë e mundur, sepse dukshëm është lodhur duke qenë jashtë çdo plani në mënyrë konstante.

Ultimatumi i tij i parë kishte si afat 10 gushtin dhe dukshëm nuk ka ofruar zgjidhje të situatës, sepse edhe në Torino janë shumë të zënë duke u marrë me operacionet në dalje.

Ikardi ka vendosur të gjejë sa më shpejt një sistemim për sezonin e ri. Do të presë edhe disa ditë Juven e më pas do të pranojë ofertën e Romës. Në bisedimet e fundit Vanda është këshilluar me Mario Xhufridën, agjent i FIFA-s dhe shumë pranë familjes Ikardi në këto momente.

Sipas “Sportmediaset”, argjentinasi ka gjetur edhe gjuhën e përbashkët me verdhekuqtë. Formula e propozuar nga Xhejms Palota e kënaq sulmuesin, i cili në rast se pranon të luajë në “Olimpico”, do të ketë të garantuara 7.5 milionë euro në sezon.

Duke parë luhatjen juventine edhe Napoli është futur në garë për argjentinasin, duke shprehur gatishmërinë për të paguar 60 milionë euro për kartonin. Zgjedhja mes napolitanëve dhe Romës mund të anojë nga këta të fundit, sepse lojtari ka të njëjtin sponsor me ekipin nga kryeqyteti italian.

Në favor të verdhekuqve është edhe bashkëshortja menaxhere Vanda Nara, ndaj me shumë gjasë Ikardi, nëse nuk përfundon në Torino, me siguri do ta zbarkojë në Romë. Këta të fundit janë edhe destinacioni i preferuar i Interit.

Në bisedime zikaltrit mund të përfshinin Edin Xhekon dhe një kërkesë prej 40 milionë eurosh për kartonin e Ikardit, duke e çuar vlerën e operacionit shumë pranë 70 milionë eurove që ishte kërkesa fillestare e klubit milanez.