“Kujdes Mesin, kujdes Interin”. Kështu e nisi emisionin e tij “Jugones” gazetari spanjoll Hozef Pedrelor. Duket se në Spanjë e kanë marrë seriozisht lajmin se zikaltrit mund të bëjnë transferimin e shekullit me Lionel Mesin.

Bepe Marota dhe Antonio Konte mohuan në mënyrë kategorike diçka të tillë, por zëri i mësipërm është i kundërt me zikaltrit dhe shumë i besueshëm madje. Transferimi i Lionel Mesit tek Interi është i mundur, por shumë, shumë i vështirë. Diçka e tillë as që do të imagjinohej më parë, por ja që kalimi i Ronaldos te Juventusi i lejon fantazitë. Për më tepër potenca e kompanisë “Suning” që ka në pronësi Interin të bën të mendosh se ka gjasë të ndodhë.

A është ky lajm një fantazi e merkatos, ashtu siç thonë tek Interi? Ndoshta po, ndoshta jo. E gjitha kjo duhet futur në një kontekst të saktë. Lionel Mesi ka një kontratë me Barcelonën deri në vitin 2021. U pëlqen apo jo katalanasve, kjo gjë është në favorin e Interit. Nëse “Pleshti” nuk do të rinovojë kontratën gjatë kësaj kohe, atëherë do të largohet në fundin e sezonit të ardhshëm me kosto zero dhe është i lirë të zgjedhë skuadrën që do.

Por për të larguar Leo Mesin nga Barcelona duhet që të kesh miliona euro. Interi ka bërë llogaritë dhe i duhen 260 milionë euro në 4 vite ose e thënë ndryshe 65 milionë euro në vit. Të gjitha këto para do të vijnë nga shitjet e fanellave dhe nga sponsorët që mund të afrohen në skuadër gjatë kësaj kohe. Por a është e mundur? Ashtu si më sipër, ndoshta po, ndoshta jo.

E sigurt është që pak më parë u publikuan lajmet dhe nga dita në ditë po marrin një trajtë serioze dhe po bëhet e besueshme. Burime nga Barcelona thonë se situata e Lautaros shërbeu për të nisur “luftën” mes dy skuadrave. Ëndrra e katalanasve ishte që të bashkonin dyshen argjentinase Leo Mesi dhe Lautaro Martinez, por kjo ëndërr tashmë është në krahun tjetër. Tifozët e Interit mendojnë se në “Madonnina” mund të projektohet realisht dyshja Lautaro-Mesi.