Me Zhoze Murinjon nuk ka rrugë të mesme, ose e dashuron, ose e urren. Kjo vlen edhe për lojtarët që kanë punuar me të. Andre Shyrle i përket kategorisë së dytë. Sulmuesi gjerman, i cili u tërhoq në moshën 29-vjeçare nga futbolli këtë vit, tregon se gjatë kohës që ata punuan së bashku te Çelsi, trajneri portugez ushtroi presion asfiksues te lojtarët.

“Ai është një njeri brutal. E pyesja gjithnjë veten: ‘Si më trajton kështu, përse e bën këtë me njerëzit?’ Sot unë e kuptoj se çfarë donte, në atë kohë e kisha të vështirë të kuptoja çfarë kërkonte nga unë për shkak të gjithë ashpërsisë dhe presionit psikologjik. Pas bisedave me të thosha se nuk mundesha më.

Kishte raste kur luaja titullar dhe pastaj më zëvendësonte në pushim. Ndeshjen tjetër isha në tribunë. Nuk e kuptoja në atë kohë dhe humba vetëvlerësimin. Egoja m’u lëndua”, tregon ish-sulmuesi i kombëtares gjermane.