Futbolli luhet për ata, por në stadiumet shqiptare prezenca e tifozëve nuk është në nivelet që të gjithë do të dëshironim, ndonëse java e 22-të shënoi një rritje të numrit të tifozëve në stadiumet e Kategorisë Superiore, nisur edhe nga rëndësia e përballjeve apo ecuria e skuadrave.

Një mesatare në rritje që padyshim shton bukurinë e ndeshjeve, e madje mund edhe të ketë pasur ndikimin e saj në performancën e skuadrave vendase. Duke nisur që nga sfida e parë, Teuta-Kukësi, sfidë direkt e zonës së lartë të klasifikimit, mes dy prej tre skuadrave me potencial për të synuar titullin, tifozët durrsakë ishin të pranishëm më tepër se zakonisht, e madje nuk mungonin edhe ata të Kukësit, megjithëse natyrisht në minorancë.

Një ndeshje e nisur në malore nga vendasit, me kontestim të tifozërisë në rastin e penalltisë së paakorduar në pjesën e parë për Teutën. Ndoshta ishte edhe euforia e tyre që ndikoi në shpirtin e garës të bregdetarëve, që u kthyen në pjesën e dytë me presion asfiksues duke realizuar edhe një përmbysje të çmendur. Në fund festë edhe në pritjen e penalltisë nga Hidi, ndërsa tifozët durrsakë teksa largoheshin nga stadiumi, padyshim kanë menduar se ia ka vlejtur, ndërkohë që edhe skuadrës mbështetja e tyre padyshim që i ka shërbyer.

Në Laç vendasin luanin me Partizanin. Numër i madh i tifozërisë së kuqe, që nuk mund të mungonin as në një transfertë kaq të rëndësishme, por po kaq e rëndësishme ishte sfida edhe për tifozët vendas. Sidomos për një skuadër si Laçi, meritojnë etiketimin lojtari i 12, me formacionin e Prengës që diti t’u dhurojë gëzim me fitoren përballë kryesuesve, duke sjellë reagimin e kampit kurbinas që vinte pas dy humbjeve.

Nëse flitet për tifozë, nuk mund të mungonin të shumtë në numër edhe ata vlonjatë, kur bëhet fjalë për një përballje me Skënderbeun, edhe pse të dyja skuadrat vuajnë probleme të natyrave të ndryshme. Flamurtari nuk fitonte në Vlorë ndaj Skënderbeut prej plot 10 ndeshjesh, që nga 2016-a, por edhe mes shumë problemesh financiare që po sjellin ditë pas dite largime, megjithatë ia doli të siguronte një fitore përballë një kundërshtari të ndier.

Në fund edhe Tirana, ecuria e bardhebluve që vinin në sfidën me Luftëtarin pas fitores me Kukësin, kishte rritur entuziazmin në “Selman Stërmasi”, padyshim të pakënaqur në pjesën e parë me paraqitjen e Tiranës, që gjithsesi ja doli të godiste në fund për të marrë të paktën një pikë. Ndoshta jo gjithmonë është efekti i tifozëve për atë që një skuadër bën në katërkëndëshin e gjelbër, por e sigurt është ama se ndeshjet me ta në stadium, janë gjithmonë më të bukura, cilido qoftë verdikti i fushës.