“New York Times” ka zbuluar programin e Juventusit për ndeshjet miqësore të verës dhe me sa duket kampionët e Italisë nuk do të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për turnetë miqësorë gjatë verës.

Gazeta amerikane shkruan se klubi bardhezi nuk do të marrë pjesë në ndeshjet e turneut “International Champions Cup” në Amerikë, por do të luajë sfidat që do të zhvillohen në Azi, pikërisht në Kinë dhe Japoni. Një vendim ky i “Zonjës së Vjetër” që lidhet me problemet gjyqësore të Kristiano Ronaldos, i cili akuzohet për përdhunim ndaj Katrin Majorga.

Për momentin, nuk ka ndonjë zyrtarizim, pasi Juventusi e ka konfirmuar pjesëmarrjen në International Champions Cup 2019, por pa dhënë detaje se ku do t’i zhvillojë ndeshjet. Më 27 mars do të publikohet kalendari zyrtar i ndeshjeve, që do t’i japë fund kësaj dileme.

Juvja i ka bërë kërkesë Relevent Sports, kompanisë që ka marrë përsipër organizimin e turneut, se dëshiron të luajë vetëm në ndeshjet aziatike pa saktësuar shkaqet e kësaj kërkese.