E ardhmja e mesfushorit të spikatur të Teutës  dhe Shpresave Sherif Kallakut duket se do të jetë larg i Shqipërisë. Pas interesimeve nga dy klubet e njohura kroate Lokomotiva Zagreb dhe Osijek, në valle për 22-vjeçarin është futur dhe CSKA-ja e Sofies.

Drejtuesit e klubit më të suksesshëm bullgar kanë biseduar konkretisht me homologët durrsak për të lejuar transferimin e mesfushorit-organizator Kallaku drejt kryeqytetit bullgar.

Kujtojmë që për Kallakun ka patur interesim dhe nga klubi turk i Menemensporit, ku aktivizohen dy ish-lojtarët e Laçit Gentian Selmani dhe David Domgjoni. CSKA Sofia mban statusin e klubit më të mirë në historinë e futbollit bullgar, por që prej vitit 2008 ata nuk e kanë fituar titullin kampion duke u parakaluar nga rivalët e Ludogoretsit dhe Levski Sofias.

Këtë sezon, ata renditen në vendin e katërt me 9 pikë më pak se Ludogoretsi kryesues. Sherif Kallaku e ka nisur karrierën si lojtar i akademisë së Tiranës, më pas iu bashkua Partizanin U17.

Pas një përvoje në Itali me Kremoneze U19, ai iu bashkua Laçit në vitin 2017. Shpërthimi i tij në futbollin shqiptar erdhi me fanelën e Teutës, ku në dy sezonet e fundit ka spikatur si njëri prej mesfushorëve dhe futbollistëve më të mirë të Kategorisë Superiore.