Fitorja me Partizanin e ka rritur moralin në kampin durrsak, pasi janë më të sigurt në vendin e tretë kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i sezonit.Për mesfushorin e Teutës, Sherif Kallaku, ndaj kampionëve të rinj të Superiores, skuadra tregoi shpirt gare dhe e mori një fitore të rëndësishme, por që, sipas tij, ekipi ka bërë vetëm detyrën e tij. Ai shton se skuadra shkon me moral të lartë para sfidës me Kastriotin, ndërsa të ardhmen e tij dhe grupit ia lë fundit të kampionatit.

Si ndiheni si skuadër pas fitores me Partizanin?

Duke parë kundërshtarin dhe si shkuan gjërat gjatë ndeshjes, them që ishte një trepikësh i merituar për Teutën. Ishte me shumë rëndësi që të ruanim ecurinë pozitive. Jam shumë i lumtur për atë çka dhanë djemtë në fushën e lojës dhe për këtë fitore shumë të bukur. Ky rezultat është vetëm falë punës sonë si ekip.

Dy fitore radhazi dhe një pikë larg vendit të dytë, Europa është më pranë se kurrë për Teutën?

Nuk ka qenë aspak e lehtë, jo vetëm përballë Skënderbeut, por edhe Partizanit. Me të gjithë duhet të sakrifikosh për të marrë fitoren. Kjo tregon forcën e grupit. Unë e kam thënë edhe më parë që objektivi ynë është zona e Europës, të jemi pjesë e treshes së parë dhe e dimë shumë mirë që kemi edhe dy ndeshje për të luajtur. Nëse luajmë dhe tregojmë të njëjtin karakter si në dy përballjet e fundit, besoj se Europa është më se e arritshme.

Kastrioti është kundërshtari i radhës, si e shikoni këtë transfertë?

Është një ndeshje e vështirë, si çdo takim i këtij kampionati. Besoj se pas fitores me Partizanin, kemi për detyrë të ruajmë këtë ritëm dhe të bëjmë më të mirën tonë, me qëllim që të vijojmë me rezultatet pozitive.

Krutanët kanë surprizuar në pjesën e dytë të sezonit…

Sfida përballë Kastriotit do të jetë e fortë, pasi ata janë forcuar ndjeshëm në merkaton e dimrit dhe kanë bërë një ekip shumë të mirë. Nuk ka ndeshje të lehta në kampionatin shqiptar. Të gjithë luajnë për pikë dhe për të arritur objektivat, por kjo na bën më të fortë, që të dalim me sukses nga ky takim. Përballë kemi një Kastriot tjetër, më i kompletuar se ai i dy fazave të para, por ne do hyjmë në fushë për ta fituar edhe përballjen e radhës me krutanët.

Në rast fitoreje në këtë transfertë, mund të themi se Teuta e ka siguruar Europën?

Më parë duhen pritur edhe rezultatet e ndeshjeve të tjera, megjithatë do të jetë një hap shumë i rëndësishëm drejt Europës nëse marrim pikë në këtë ndeshje.

A janë përmbushur pritshmëritë që kishit kur erdhët në fillim tek Teuta?

Për momentin jemi brenda objektivave dhe nëse vazhdojmë me këtë rritëm dhe i realizojmë atë, atëherë do të jetë kulmi i kësaj skuadre, të paktën për momentin.

E ardhmja e Kallakut dhe Teutës?

Nuk e di ende, por mendoj se duhet të ruhet boshti i skuadrës. Kemi lojtarë shumë cilësorë, që thjesht kanë pasur nevojë për kohë. Grupi tani është i plotë, më i mirë se çdo ekip tjetër. Më vjen keq për luhatjet që kemi pasur në disa momente, por do të bëjmë maksimumin për ta mbyllur mirë dhe më pas të shohim. Jam i kënaqur nga grupi, po paraqiten shumë mirë, me mobilizim dhe përqendrim në stërvitje e ndeshje.