Një shtyllë në start të ndeshjes dhe një eurogol. Sherif Kallaku udhëhoqi Teutën në përballjen e kthimit me Ventspils, por pa ia dalë që të çojë skuadrën durrsake në barazimin e rezultatit të përgjithshëm. Me një driblim spektakolar brenda zonës, mesfushori dhe kapiteni i Kombëtares Shpresa ia doli që të shënojë golin e vetëm të ndeshjes së kthimit dhe në fund të ndeshjes së kthimit, komenton paraqitjen e Teutës, por edhe situatën e skuadrës dhe nevojën për afrime të mundshme.

Sherif, a jeni i mërzitur për skualifikimin?

Po, jam jashtëzakonisht shumë i mërzitur. Personalisht mendoj se nuk e meritonim këtë eliminim. Ekipi zhvilloi një ndeshje perfekte, por gjithsesi mendoj se nuk kishim fat. Sipas meje, na ndikoi shumë. Megjithatë, ky është futbolli dhe tani na duhet që të shohim përpara.

Sipas jush, a është gati Teuta për sezonin e ri në Superiore?

Mendoj se kjo është Teuta në përgjithësi edhe për sezonin në Superiore, por do shikojmë. Ky është vetëm një mendim personal i imi, pasi është klubi ai që do të vendosë nëse ka nevojë apo jo për ndonjë afrim të mundshëm.

Shënuat një gol spektakolar, çfarë menduat në atë moment?

Realisht nuk mund ta tregoj se çfarë ndjesie kam pasur, por ishte një gol jashtëzakonisht shumë i bukur.

Gol “alla Zidan”…

(Qesh…) Deri-diku ishte një gol “alla Zidan”. Megjithatë, kjo ishte mënyra, të cilën e kam provuar shpesh dhe për fat të mirë, më doli për mbarë.

Ku do jetë Kallaku në sezonin e ri?

Unë kam edhe një vit kontratë me Teutën dhe këtë gjë e dinë drejtuesit. Presidenti i klubit të Teutës është ai që do të vendosë për të ardhmen time.