Teutës i janë bërë makth mungesat që në start. Ashtu si në tri javët e para (përballë Bylisit, Tiranës dhe Luftëtarit), Blendi Shkëmbi duhet të bëjë llogaritë me deficite në organikë edhe kundër Vllaznisë.

Sherif Kallaku e humb edhe këtë duel. Dëmtimi që ka pësuar ndaj Tiranës ka rezultuar më i rëndë nga sa mendohej. Kavilja është e fryrë dhe normalisht do kohën e vet që të rikuperohet tërësisht. Ky lloj shqetësimi do 10 deri në 15 ditë dhe më pas mesfushori të kthehet në fushë.

Stafi mjekësor ka vendosur të mos e rrezikojë në javën e 4-t, ndaj mund të thuhet që tani se ai nuk do të luajë kundër shkodranëve. E megjithatë, lajmet e mira nuk mungojnë nga infermieria.

Konfirmohet se Arbër Çyrbja është gati për ndeshjen e ardhshme. Ai mungon në formacionin e skuadrës prej tri javësh. Mesfushori i njohur durrsak kishte pësuar një dëmtim në kofshë, që e ka mbajtur larg fushës për ditë me radhë. Anësori është rikuperuar dhe trajneri mund ta llogarisë në 11-she.

Ndaj Luftëtarit nuk luajti, pasi rikuperimi nuk ishte në masën 100%, por duke përfituar nga ndërprerja e kampionatit, gjendja është përmirësuar ndjeshëm. Rikthimi i tij është zyrtar dhe mund të përkthehet me një forcë të madhe në ofensivë për durrsakët.Pas tri javësh dhe 7 pikësh të grumbulluara, Teuta është bashkëkryesuese me Kukësin e Tiranën.

Durrsakët bënë shumë ndryshime në verë, sidomos pas Europës. U largua pjesa më e madhe e titullarëve të sezonit të shkuar dhe u afruan futbollistë me peshë nga tregu vendës dhe ai huaj. Bledi Shkëmbi ka ndërtuar një grup solid, me të cilin pretendojnë që të mos e diskutojnë zonën “Euro” dhe pse jo, të guxojnë… titullin.

Me ambiciet në rritje, Teuta ka menduar që të shtojë veç cilësisë edhe eksperiencën në ekip. Me Stivi Frashërin në portë dhe Rustem Hoxhën e Renato Arapin në mbrojtje, është blinduar njëherë e mirë prapavija. Në mesfushë janë shtuar muskujt me Albano Aleksin, pa llogaritur këtu zgjuarsinë e Kallakut apo ndonjë tjetri.

Prezenca e dy lojtarëve si Darko Nikaç dhe Abdul Kahlid pritet që të sjellë edhe shpërthimin e sulmit. Vetëm se mbetet për t’u parë nëse stafi teknik do të zgjedhë që t’i hedhë në fushë të dy.

Deri më tani, Nikaç ka luajtur si titullar dhe e ka kaluar me sukses “klasën”, pasi ka shënuar, ndërsa ganezi i ardhur nga Prishtina pret debutimin. Deri në këto momente Teuta ka shënuar 4 gola, por në klub mendojnë se me pasurimin e fazës së sulmit do të bëhen të frikshëm.