Sherif Kallaku nuk dorëzohet. Fantazisti i Teutës mendon se skuadra durrsake ka sërish shanse për të tentuar mrekullinë ndaj Ventspilsit.

Rezultati 3-0 është shumë i vështirë për t’u përmbysur, por Kallaku mendon se një gol i shpejtë mund ta bëjë me krahë ekipin.

Fantazisti flet për humbjen e thellë në Letoni, mënyrën se si duhet të sillet Teuta në ndeshjen e së enjtes, por jo vetëm kaq. Talenti ka një thirrje edhe për tifozët durrsakë, të cilët janë zhgënjyer nga rezultati i sfidës së parë.

Sherif, një humbje e rëndë në Letoni. Çfarë ju motivon për të besuar te një përmbysje në ndeshjen e kthimit?

Po, është e vërtetë që pësuam një disfatë të thellë, në një kohë që të gjithë prisnim shumë nga ajo ndeshje. Ishte ndeshja e parë dhe normalisht duhet të merrnim një rezultat ndryshe, duke pasur parasysh edhe lojën që kemi zhvilluar. Mendoj që i kemi dhuruar ne golat kundërshtarit, nuk është se i shënuan për meritën e tyre. Gjithsesi, kjo na bën që 90 minutat e kthimit të japim 200% për të përmbysur atë rezultat. Mendoj se është i mundur edhe kualifikimi, pavarësisht se rezultati lë për të dëshiruar dhe duket shumë i vështirë për t’u përmbysur. Megjithatë, një gol i shpejtë do të rihapte takimin dhe unë kam besim se do të arrijmë ta bëjmë këtë gjë.

Në kushtet kur nuk keni asgjë për të humbur, mendoni se skema duhet të ndryshojë këtë herë, për të qenë më sulmuese?

Duke pasur parasysh ardhjen e sulmuesit Nikaç, mendoj se si me dy sulmues, por edhe me skemën që ne kemi luajtur gjithmonë, 4-3- 3, jemi ambientuar shumë mirë. Këtë e di profesor Shkëmbi, por ne jemi ambientuar mirë me njeri-tjetrin. Të enjten duhet të bëjmë çmos ta kthejmë rezultatin në Durrës, pasi si unë dhe të gjithë çunat jemi optimistë që do ta bëjmë një gjë të tillë.

Duke iu referuar ndeshjes së kaluar, çfarë duhet të bëni më tepër të enjten për të shpresuar?

Mendoj që duhet të jemi shumë të përqendruar, sidomos te pasimi i fundit dhe përballë portës, pasi edhe në ndeshjen e parë në Letoni na u dhanë mundësitë, por nuk i shfrytëzuam. Normalisht, duhet edhe pak fat, por nëse ia bëjmë hyzmetin, edhe fati do të jetë me ne. Me pak kujdes e përkushtim dhe me një skuadër që pritet të japë shpirtin në fushën e lojës, besoj se do t’ia dalim.

Keni një mesazh për tifozërinë durrsake, pse duhet të vijë në stadium të enjten?

Personalisht, kam një thirrje për të gjithë tifozërinë, që të vijnë për ta kthyer në festë ndeshjen me Ventspilsin. Duhet ta mbështesin Teutën, sepse nuk do t’i zhgënjejë. Këto janë fjalët e mia për ata që e ndiejnë këtë fanellë.