Sherif Kallaku ishte sërish një nga më të mirët për Teutën edhe në përballjen e parë të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, përballë Kukësit.

Fantazisti foli për ambiciet e fitimit të një trofeu me Teutën, por edhe për të ardhmen e tij.

Zakonisht lojtarët kur luajnë ndeshjet e fundit me një skuadër, e ulin ritmin, por me ju ndodh e kundërta…

Realisht duam të japim një trofe për durrsakët dhe trofeu jepet duke luajtur në fushë. Luajtëm në një fushë të vështirë dhe jam i lumtur për rezultatin, por ndihem disi i zhgënjyer për rastet e humbura. Gjithsesi kam besim se në ndeshjen e kthimit do të sigurojmë kualifikimin.

Teuta është parë në formë mjaft të mirë që prej rifillimit të kampionatit…

Kemi dëshirë të madhe të luajmë mirë, kjo dëshirë është rritur pas pandemisë. Nuk kemi presion. Skuadra po shprehet mirë.

E keni vendosur të ardhmen?

Po të kisha marrë vendim, do ta thosha. Kam për të realizuar objektivin e fitores së Kupës dhe pjesëmarrjes në Europë. Ka edhe 7 ndeshje, por e shoh veten në finale. Pastaj do të vendos me qetësi. Mendoj për ndeshjet e ardhshme, pasi dëshira ime është ta mbyll me trofe. Kur ikën me trofe, është një vlerë më e madhe. Dua të luaj në një kampionat më të fortë dhe dua të kem një karrierë sa më të pasur. Jam i sigurt që klubi do të dijë të zgjedhë më të mirën për financat e veta, por edhe për mua, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të rri edhe nëj vit tjetër në Durrës.