I mjaftuan tri minuta në fushë për të shënuar, por Sekou Kamara nuk e ka shijuar sa duhet golin. Edhe pse u mendua se mesfushori e rihapi ndeshjen (duke çuar shifrat në të 2-1 në të 72-ën), as dy minuta dhe Karabeci i hoqi shpresat Teutës.21-vjeçari nga Guinea analizon humbjen e fundit të skuadrës, por flet edhe për objektivat.

Vetëm 3 minuta në fushë dhe gjetët golin, si u ndjetë?

Jam shumë i lumtur për golin, por nuk mund të them të njëjtën gjë për ndeshjen. Duhet të vazhdojmë të punojmë, pasi me këto rezultate nuk mund të jemi të lumtur dhe as aty ku duhet.

Çfarë nuk shkoi si ndeshjen e fundit?

Po, u ndjeva keq. E rëndësishme është të punoj për skuadrën, por mua më pëlqen të jem një “kartë” që të lëviz lirshëm. Edhe të dielën ne krijuam shumë, por përsëri nuk arritëm të fitonim. Duhet të jemi më të qetë. E vështirë ta shpjegosh këtë që po na ndodh në këto javë, e megjithatë kohë nuk ka më, ndaj duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës.

Mërzitet Kamara që është në stol?

Mendoj se kam shumë më shumë për të dhënë për këtë ekip dhe do e arrij këtë gjë. Sa herë që futem nga stoli dhe nga formacioni, do jap maksimumin.

Europa duket se po vihet në rrezik, po ju si mendoni?

Do të ketë një garë interesante deri në fund të kampionatit dhe rivaliteti do të jetë i madh. Por, ndërsa ne luajmë ndaj Kukësit në një ndeshje të vështirë, rivalët tanë e kanë edhe më delikate, pasi janë përballë njëri-tjetrit. Në këtë ndeshje secila prej skuadrave do të lërë pikë dhe kjo është mirë për ne, që nga ana tjetër duhet të marrim pikët e plota për të arritur Europën dhe jam i bindur se do t’ia dalim.

Ndeshja e radhës përballë Kukësit. Mund të vijë kthesa pikërisht ndaj vendit të dytë?

Për ndeshjen e radhës ndaj Kukësit kemi dy javë kohë për t’u përgatitur. Besoj që do jetë një takim i vështirë, pasi Kukësi ka bërë lojëra shumë të mira këtë sezon. I kemi parë ata gjatë gjithë kampionatit, kemi respekt për ta, por ne jemi në një moment që na nevojitet vetëm fitorja, ndaj do të hyjmë në fushë për ta siguruar atë.