Teuta luan të enjten në stadiumin “Niko Dovana” ora 16:00 ndeshjen e turit të dytë të Ligës së Europës ndaj klubit spanjoll, Granada.

Durrsakët janë të ndërgjegjshëm për vështirësinë e kësaj përballjeje, por do të provojnë shanset e tyre për të bërë surprizën.

Kapiteni Renato Arapi thekson se skuadra do të japë gjithçka për të bërë pse jo një mrekulli.

“Natyrisht që i dimë vlerat e kampionatit spanjoll dhe jemi të ndërgjegjshëm për forcën e Granadës. Mirëpo, kjo nuk na e heq neve të drejtën që të hyjmë në fushë për të bërë maksimumin. Nuk do të luajmë si inferiorë. Kjo është nga ato ndeshje, që sido që të shkojë rezultati, nuk humbet, pasi të mbetet në kujtesë. Dhe që të ndodhë kështu, ne duhet të bëjmë ndeshjen e jetës për të shpresuar te kualifikimi i mundshëm”, ka thënë dje lideri i skuadrës durrsake.