Teuta meriton notën 10 në këtë merkato në bazë të përforcimeve që ka bërë ekipi blu. E vetmja “pikë e dobët” e durrsakëve ishte pikërisht largimi i Kallakut. Për këtë shkak, blutë afruan një si Erando Karabeci, një lojtar me eksperiencë që do ta ndihmojë shumë skuadrën durrsake.

Edi Martini e ka mirëpritur Karabecin, me besimin se ai do forcojë akoma më shumë ekipin. Mesfushori 31-vjeçar ka një eksperiencë të madhe mbi supe, ku ka qenë pjesë e Tiranës, Partizanit e Kukësit. Teuta synon majën e futbollit shqiptar dhe merkatoja e bërë e vërteton më së miri këtë gjë. Karabeci tregon gjithçka. Arsyet e largimit nga Tirana pas 11 vitesh por dhe çfarë pret nga aventura e re me Teutën.

Gjatë karrierës keni ndërruar pak ekipe, e keni të vështirë përshtatjen?
Është e vërtetë që kam ndërruar shumë pak ekipe. Teuta është ekipi i tretë në karrierën time. Përveç tre viteve që kam kaluar te Partizani që kam qenë shumë i ri dhe 11 viteve tek Tirana, t’ju them me sinqeritet ambientimin nuk e pata të vështirë, pasi çunat ma kanë bërë më të thjeshtë. Me shumicën e tyre njihem që në fëmijëri, pasi kam luajtur te kombëtarja e moshave. Ky fakt më ka ndihmuar jashtë mase, aq sa më duket sikur këtu është shtëpia ime. E kam pasur të thjeshtë të ambientohem.

Sezonin e mbyllët si kampion dhe vini në një ekip që ka pretendime të mëdha, mendoni se do merrni titull edhe në Durrës?
Titulli nuk merret me fjalë. Titulli merret me punë, merret në fushën e lojës. Është e vërtet që kemi krijuar një ekipi dinjitoz, por që ta vërtetojmë, luajmë apo jo për kampionë duhet ta bëjmë në fushën e lojës. Mos të merremi me llafe jemi për titull. Duhet t’i marrim ndeshjet gradualisht dhe të shohim çfarë ka servirur për ne kampionati. Ama ne do të bëjmë maksimumin tonë që të arrijmë objektivat e klubit.

Teuta është dubluar me merkaton, a i jep ky fakt garanci skuadrës?
Normale që konkurrenca në ekip e shton cilësinë e skuadrës që do të thotë se kur rolet janë të dubluara, atëherë ekipi ka më shumë garanci për vazhdimësinë e kampionatit. Sezoni është i gjatë e mund të kesh dëmtime, kartonë, kështu që kur të mungon një lojtar i rëndësishëm ai që e zëvendëson të jetë në të njëjtin nivel dhe ky është një bonus i madh për ekipin. Kështu që konkurrenca e ndihmon shumë skuadrën për objektivat që ka.

Po ia ndjeni mungesën futbollit, pasi u bënë gati dy muaj që nuk luhet?
Po e ndjejmë të gjithë bashkë. Nuk e kishim parashikuar këtë situatë. Është hera e parë që na ndodhur s’jemi mësuar dhe është shumë e vështirë që vetëm të stërvitesh dhe vjen fundjava, s’ka ndeshje. Stërvitja behet në bazë të asaj ndeshje që do luash në kampionat kështu që presim të nisë sa më shpejt, sepse u bë një kohë e gjatë dhe nuk është gjë e mirë për futbollin.

Sa e lodhshme është stërvitja pa ndeshje zyrtare?
Është më shumë lodhje psikologjike, sepse siç e thashë, ti gjatë javës stërvitesh për të arritur një qëllim në fundjavë, pra që të arrish e të fitosh ndeshjen. Normalisht kur stërvitesh dhe nuk del në ndeshje ta shprehesh kjo të jep lodhje psikologjike, kështu që shpresoj të nisë sa më shpejt që dhe ne mos të bëjmë stërvitje pa kryer ndeshje.

Çfarë synimesh ka Karabeci nga kjo aventurë?
Unë kam ardhur këtu duke e njohur Teutën. Që në fëmijërinë time e kam ditur çfarë skuadre ka qenë. Kam ardhur me synimin për ta ndihmuar dhe për të arritur ato objektiva që thashë. Me eksperiencën që kam, besoj se do ta ndihmoj skuadrën sa herë të ketë nevojë për mua dhe për këtë arsye mendoj që kam bërë zgjedhjen e duhur që kam ardhur te Teuta.

Cili është ai ekip që e shihni si rival për këtë sezon?
Besoj se janë 4-5 ekipe serioze duke filluar nga Tirana, Kukësi, Laçi që ka bërë një grup cilësor. Mos të harrojmë edhe Partizanin që ka në stol mjaft cilësor dhe e njeh kampionati. Ka bërë një ekip serioz, kështu që mendoj do jetë një luftë mes 4-5 ekipeve deri në fund.

E patët të vështirë ndarjen nga Tirana?
Normalisht si çdo fillim e ka dhe një fund. Unë nga Tirana largohem pas 11 vitesh ku kam kontribuar shumë. Unë kam marrë shumë nga Tirana ashtu siç ka marrë dhe Tirana nga unë. I falënderoj për vitet që kam kaluar, pasi kam kaluar pjesën dërrmuese të karrierës, por tashmë do shohë vazhdimësinë dhe jam gati për sfidën time te re me Teutën.

Këtë vit nuk do luani as derbi, do ia ndieni mungesën?
T’ju them sinqerisht derbi është ndeshja me e bukur e kampionatit shqiptar. Shpresoj që çdo lojtar, që s’e ka provuar atë ndeshje ta provojë. Është një ndeshje që të jep një karikim ndryshe nga ndeshjet e tjera për vet rivalitetin që kanë dy skuadrat. Tifozëria është shumë e zjarrtë. Kam luajtur shumë derbi dhe jam i ngopur e thënë ndryshe dhe ndoshta s’do t’ia ndjej mungesën.

Keni hapur gjyq ndaj Tiranës për rroga të prapambetura, çfarë prisni?
Për këtë çështje nuk kam koment.