Teuta arriti të fitonte titullin kampion këtë sezon, kjo edhe falë grupit të krijuar në fillim, ku në përbërje ishin mjaft lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë.

Të enjten, durrsakët u japin fund pushimeve dhe menjëherë do të nisë puna për përfaqësimin në Kupat e Europës, ku gjithçka fillon nga turi i parë në Champions.

Erando Karabeci flet për gjendjen e skuadrës dhe çfarë pret nga shorti i Champions-it. Mesfushori flet edhe për çështjen me ish-ekipin e tij të Tiranës. Karabeci kërkon nga Teuta të jetë me këmbë në tokë dhe të vlerësojë çdo kundërshtar.

Sipas Karabecit, futbolli t’i jep të gjitha shanset, ndaj gjithçka mund të ndodhë dhe shpreson që Teuta të shfrytëzojë çdo shans që do t’i jepet në Europë.

Dy tituj radhazi, cili mendoni se ishte më i bukuri për ju, ai me Tiranën apo i fundit me Teutën?

Mendoj se të dy titujt ishin shumë të bukur, sepse secili kishte veçantinë e vet. Titulli te Tirana ishte i veçantë sepse unë kisha kaluar 11 vite aty dhe e mbylla si kampion në fund dhe kjo ishte më e bukura. Titulli me Teutën ishte i veçantë sepse skuadra kishte 27 vite që nuk e fitonte këtë trofe dhe ajo që ndodhi ishte diçka shumë e rëndësishme për ne. Duke parë edhe sakrificat që kemi bërë si grup, në fund u shpërblyem me këtë titull që na dha një kënaqësi të veçantë, jo vetëm neve, por edhe qytetit të Durrësit.

Katër ekipe i shkuan deri në fund titullit. Na tregoni disa arsye pse Teuta e meritoi më tepër se të tjerat?

Mendoj që katër ekipet që luftuan deri në fund tregojnë se ky kampionat ishte shumë i bukur. Besoj se të 4 ekipet dhanë maksimumin dhe mund ta fitonte cilido, pasi edhe ne kemi gabuar. Edhe ekipet e tjera kanë gabuar, por fati deshi që ta merrte Teuta, e cila besoj se meritonte me shumë se çdo ekip tjetër për vetë kampionatin që bëmë.

Jeni i kënaqur me ecurinë personale apo keni pritur më tepër hapësirë?

Mund të jem i kënaqur vetëm në momentin që më është dhënë mundësia të luaj. Nuk jam pishman për asgjë, pasi kam dhënë më të mirën time dhe kam ndihmuar ekipin. Nuk ka lojtarë që nuk i do hapësirat. Unë jam një futbollist që në karrierën time kam luajtur 100% të ndeshjeve dhe normalisht që kur nuk i luan të gjitha ndeshjet, nuk mund të jesh shumë i kënaqur. Rëndësi ka grupi dhe ia arritëm, pasi synimet i finalizuam me sukses. Jam shumë i kënaqur në aspektin personal, pasi, siç e thashë, kam dhënë maksimumin dhe kam ndihmuar ekipin.

Cilin nga 16 ekipet e mundshme për turin e parë të Champions-it do të dëshironit si rival?

Nuk mund të them se cilin ekip do të doja, por besoj se në vazo ka klube shumë të forta. Shpresoj që të përballemi me një kundërshtar të lehtë, që të kishim mundësi të kalonim një tur në Champions. Gjithsesi, ne do t’i provojmë shanset cilido qoftë rivali. Do të japim maksimumin për ta kaluar turin, pasi nuk kemi çfarë humbasim.

A mund të bëjë Teuta atë që bëri Skënderbeu më parë në Europë?

Kurrë mos thuaj kurrë. Futbolli t’i jep të gjitha shanset, ndaj nëse ti ia bën “hyzmetin” dhe me fatin pranë e me Zotin lart, mund të arrish rezultate që s’i ke menduar. Ajo që ka bërë Skënderbeu ishte një arritje historike për futbollin shqiptar, kështu që duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të japim maksimumin. Më pas, duhet parë se çfarë na servir e ardhmja.

Tiranës iu dha ultimatum nga Disiplina për borxhin ndaj jush. Si po shkon kjo histori dhe a është e vërtetë që i keni paditur sërish?

Po është e vërtetë që e kam fituar gjyqin më Tiranën, por që të jem i sinqertë, nuk dua të flas shumë për këtë temë, pasi më shumë po merret avokati im, kështu që çështjen ia kam deleguar atij dhe besoj që kjo gjë do të zgjidhet shumë shpejt.