Një tragjedi brenda tragjedisë, e cila e lë akoma të hapur dhimbjen e familjes Sala. Horacio Sala, i cili humbi jetën në prill për shkak të infarktit, ishte babai i Emilianos, sulmuesit argjentinas, i cili u shua në moshën 28-vjeçare në avionin “Piper” që u zhduk mbi Kanalin e La Manshit teksa po e transportonte nga Nanta në Kardif në janar.

Ai dha një intervistë për “BBC” pak përpara se të largohej nga jeta. Në lot, ai akuzoi klubin uellsian që nuk u kujdes siç duhej për të birin, duke e lënë të nisej me atë avion të lehtë në kohë të keqe.

“Me të gjitha paratë që kishin për ta blerë nga Nanta, pse nuk menduan për të gjetur një mjet më të sigurt për të mos rrezikuar”, tha një muaj përpara se të vdiste babai i Emilianos.

“Kaq e vështirë ishte që të parashikonin një rrezik të tillë?” Kardifi pagoi 15 milionë sterlina për kartonin e Emilianos, duke e bërë blerjen më të shtrenjtë të historisë: “E lanë vetëm. E lanë si një qen. E braktisën”.

Kardifi dhe Nanta janë përfshirë në një çështje gjyqësore me uellsianët që refuzojnë të paguajnë për futbollistin që nuk erdhi kurrë.Nga Uellsi, Kardifi i mohoi akuzat e Horacio Salës.

“Klubi dhe qyteti janë pranë dramës së familjes Sala dhe është bërë gjithçka që pas kësaj tragjedie familja e Emilianos të mund të ndihmohej nga klubi”, thuhej në deklaratën e skuadrës që sezonin e ardhshëm do të luajë në Championship.