Kombëtarja U-21/ Bushi dhe Kallaku: Ta mundim Kosovën, vëllezër pas ndeshjes (VIDEO)

14/10/2019 - 17:14

Ditën e sotme, trajneri i kombëtares U-21, Alban Bushi ka dalë në një konferencë për shtyp për të folur në prag të ndeshjes zyrtare kualifikuese ndaj Kosovës. Kjo përballje do të zhvillohet në datën 15 tetor, në stadiumin "Elbasan Arena", ora 19:00.

Në krah të trajnerit Bushi ishte dhe kapiteni Sherif Kallaku që u rikthye në grumbullim për këtë ndeshje pas mungesës ndaj Austrisë për shkak dëmtimi.

Trajneri Bushi në fjalën e tij theksoi se skuadra nuk është në tension nga fakti se do të përballet në një ndeshje eliminatore me bashkombasit e Kosovës dhe se përtej faktit që është një ndeshje e fortë, skuadra e tij do të kërkoj fitoren.

"Nuk kemi asnjë lloj ndjesie ekstra, thjesht është një ndeshje e radhës për ne. E kemi përgatitur mirë. Gjëja pozitive është se kemi pasur shumë ditë në dispozicion, pothuajse shtatë ditë. Të tetën është ndeshja. Kemi bërë atë lloj strategjie, që do e shprehim nesër në fushë, për të mundur ekipin e Kosovës. Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë. Kosova ka në përbërje lojtarë shumë të mirë, ka më shumë pikë se ne, por kjo nuk do të thotë se ata janë më të mirë se ne. Ditën e martë pres një ndeshje shumë të luftuar nga ekipi ynë dhe jam i sigurt për këtë. Mbështetja e tifozëve do të jetë maksimale për ta mundur Kosovën."

Lojtarë në Kombëtaren A?

"Është pozitiv fakti që kanë shkuar lojtarë tek ekipi A. Shumë futbollistë të ekipit U21 janë marrë nga ekipi A. Kjo tregon se po punohet mirë tek të gjitha ekipet e moshave të kombëtares. Shumë lojtarë vijnë nga poshtë, ne i aktivizojmë dhe i bëjmë gati për ekipin A. Kjo ka edhe anën negative, pasi prishen ekuilibrat në skuadër. Mundohemi ta rregullojmë ekipin Shpresa. Me Austrinë patëm 8 mungesa dhe nuk kishim ekuilibër. E rëndësishme është që ekipi A të ketë një ekip që tregon forcë, siç bëri në Turqi.  Reja mund të marrë këdo lojtar kur të dojë. Shpresat kanë si objektiv të çojnë lojtar në kombëtare. Nëse do kemi një grup të plotë, atëherë mund të flitet edhe për rezultate. Sigurisht që rezultatet duhet të jenë të pranishme, pavarësisht objektivit të institucionet për të çuar sa më shumë lojtarë lart."

Broja?

"Të gjithë lojtarët që janë në ekipin kombëtar, janë lojtarët më të mirë të momentit. Për këtë arsye i përzgjedhim. Broja është një lojtar i perspektivës, me moshë shumë të vogël në krahasim me ekipin aktual. Mendoj se do të bëhet një lojtar shumë i mirë, ndaj edhe e kemi aktivizuar. Kam besim se do të ecë shumë. Do të jetë e ardhmja e sulmit, se bashku me lojtarët e tjerë."

Përballja me Kosovën?

"Në futboll janë të tria rezultatet. Ndodh siç na ndodhi ne me Andorrën, ku shumë kush thoshte që ose barazojmë ose fitojmë, sikurse kishte edhe të tjerë që thoshin vetëm fitojmë.  Nuk jam i këtij mendimi, të tria rezultate janë të pranueshme. E rëndësishme është të japësh maksimumin dhe të dalësh me kokën lart, siç doli Shqipëria me Turqinë brenda Stambollit. Nëse bëjmë maksimumin, ne dalim krenarë, pavarësisht rezultatit. E kam thënë edhe herë tjetër, kemi djem shumë të rinj. Janë këtu për të mësuar dhe për të shkuar në ekipin kombëtar. Ndonjëherë do qeshim, ndonjëherë do qajmë. Duhet që djemtë të lagin fanellën, e kanë detyrim moral, e kanë detyrim kombëtar për të dhënë maksimumin. Duhet që të gjithë të bëjnë maksimumin që të fitojmë, jo se kemi Kosovën përballë. Këta djem e meritojnë të fitojnë, pasi kanë bërë lojëra të bukura dhe kanë qenë pa fat. Ndonjëherë e kemi pësuar edhe për gabime tonat. Ndeshja me Kosovën do jetë krejt tjetër dhe do e shihni në fushë".

Kapiteni Kallaku u shpreh i kënaqur që tashmë e ka lënë pas krahëve dëmtimin dhe do të jetë një forcë e shtuar për skuadrën.

"Kalova një dëmtim njëmujor dhe tani të jem realist nuk mendoj se ndihem në formën time optimale, pasi kam shumë për të dhënë. Gjithsesi ndihem shumë mirë për ta luajtur këtë ndeshje dhe për të bërë një paraqitje të mirë."

Ecuria e Kosovës?

"Siç e tha edhe profesori, ata kanë më shumë pikë se ne. Dua të theksoj se kualiteti tek ne është pak më i madh se tek ata. Kemi punuar mirë në stërvitje dhe do ta përballojmë këtë ndeshje. Duhet ta shikojmë thjesht si një ndeshje të radhës, që duhet të marrim tre pikët. Për ne është detyrim."

Lideri skuadrës?

"Të gjithë, të 11 lojtarët, jemi lider. Nuk është se jam vetëm unë lider."

Kosova një derbi apo vëllazërore? 

"Normalisht mund të quhet ndeshje vëllazërore, por janë kualifikuese dhe janë detyrim tre pikët. Nuk do futemi si në një ndeshje vëllazërore, por për ta fituar. Normalisht që është një derbi. Është një derbi ku nuk gjëra të tipit “jemi vëllezër” nuk vlejnë brenda 90 minutave. Pas ndeshjes jemi vëllezër dhe rrimë sëbashku", përfundoi fjalën e tij kapiteni 21 vjeçarëve kuqezi.

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Interi ka zhvilluar një fillim sezoni pothuajse perfekt në drejtimin e Antonio Contes.

Riccardo Orsolini është një nga risitë e listës së Italisë së Mancinit, për takimet eleminatore "Euro 2020".

Racizmi është një nga çështjet më të diskutuara në futboll kohët e fundit, teksa shpesh herë nga ky fenomen janë prekur lojtarë të ndrysh

Pol Pogba është dhe mbetet një objektiv i Juves, aq sa media angleze, duke rënë në dijeni edhe të disa prej emrave të merkatos së janarit

Granit Xhaka është një hap pranë Milanit, siç raporton media zviceriane “RSI”, e cila bën me dije se lojtari është duke kërkuar shtëpi në

Ditën e sotme kanë dalë në konferencë për shtyp dy futbollistët e kombëtares, Emanuele Ndoj dhe Myrto Uzuni, ku kanë folur për grumbullim

Vijojnë ofendimet në kor për mamanë e futbollistit të Romës, Nikolo Zaniolo.

Stadiumi i ri në kryeqytet që do të mbajë emrin “Air Albania”, ka një impiant të ngjashëm në pamjen e jashtme dhe të brendshme në Meksikë

Presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoennes, ka zbuluar se klubi gjerman i ndau rrugët me trajnerin Niko Kovac pasi që lojtarët e skuadrës

Kohë krize te Arsenali, që në katër ndeshjet e fundit ka arritur të grumbullojë vetëm dy pikë.