Barazimi 1-1 me Slavian e Pragës në shtëpi, nuk është kurrsesi debutimi që Antonio Konte dhe tifozët e Interit prisnin në Champions League.

Tekniku zikaltër sigurisht që nuk ishte i kënaqur nga loja e ekipit të tij ndaj çekëve, dhe në mikrofonët e “Sky Sport”, deklaroi:

BARAZIMI 

Slavia e Pragës luajti si një ekip i madh europian, me ritëm të lartë dhe intensitet. Na bëri një presing që nuk po gjenim dot zgjidhje. Deri tani ekipet na kanë pritur në mbrojtje, por Slavia na sulmoi, dhe kjo na bëri të vuajmë. Nuk jam i kënaqur me paraqitjen sot. Unë jam i pari përgjegjës, sepse nuk bëra zgjedhjet e duhura.

FORMACIONI  

Nuk ka nevojë për ndryshime, djemtë duhet të lihen të qetë, por ky nuk është futbolli që duam të luajmë. Kur ka vështirësi, duhet të tregojmë më shumë personalitet. Kemi ende përmirësime për të bërë. Sot nuk treguam idenë tonë për lojnë. Nga djemtë ka dëshirë për të punuar, por duhet të rritemi.

TOPA TË GJATË  

Sot ishim të gjithë poshtë notës kaluese, unë i pari. Në fakt, unë jam më gomari nga të gjithë. Ne nuk stërvitemi që të luajmë me topa të gjatë. Përgatisim situata të vështira loje, por e urrej të luajmë me topa të gjatë. Sot nuk kishim as planin B, për të bërë diçka ndryshe.