Në 24 orët e fundit, nga momenti kur Daniele De Rosi komunikoi se në fund të sezonit do i japë lamtumirën Romës pas 18 viteve në kryeqytet, kanë nisur zërat lidhur me skuadrën e radhës së mesfushorit roman. Pavarësisht se transferimi në një tjetër skuadër italiane konsiderohet thuajse i pamundur, mes kandidatëve për të siguruar shërbimet e “veteranit” (36 vjeç në korrik) qëndron edhe Interi.

Nuk është surprizë që Antonio Konte, shumë pranë afrimit në stolin zikaltër, ka një konsideratë pozitive për De Rosin, pikë kyçe e Italisë së tij gjatë dyvjeçarit 2014-2016. Kompanitë e basteve kanë stiluar kuotat e para: si destinacione më të mundshme shihen MLS-ja amerikane (2,50), J-League japoneze (3,50) dhe Superliga kineze (5,50). Më poshtë Boka Zhuniors (7,50).

Duke qëndruar në Europë, spikat Interi, në kuotën 10,00 së bashku me PSG-në; përpara Mançester Junajtid dhe Çelsit (12,00 dhe 15,00), Arsenalit dhe Realit (25,00), Bajernit, Barcelonës dhe Liverpulit (33,00). Thuajse i pamundur një akord me Napolin apo Juventusin, të kuotuara 50,00.Po bën zhurmë çdo ditë e më shumë edhe mundësia e një “martese” mes Aleksis Sançez dhe Interit.

Menaxheri i lojtarit ka qenë prezent në Milano disa ditë më parë, ka pasur një bisedë me drejtuesit zikaltër që ka refuzuar me mirësjellje duke vlerësuar shumë të lartë pagën e lojtarit (28 milionë euro bruto në sezon). Mediat angleze janë të bindura se “djajtë e kuq” duan të largojnë me çdo kusht 30-vjeçarin dhe janë gati ta huazojnë me të drejtë blerjeje duke mbuluar edhe gjysmën e rrogës. Kostot, në çdo rast, nuk përputhen me planet e “Suning”.

Tek Interi mbetet e hapur edhe pista “Danilo”, mbrojtësi i djathtë i Mançester Sitit. Pengesa kryesore mbetet vlera e lojtarit: anglezët kërkojnë rreth 10-12 milionë euro më shumë se oferta zikaltër prej 15 milionësh: nevojiten, pra, rreth 25-30. “Qytetarët”, në këtë rast, kanë vendosur të presin merkaton pa u nxituar.